Ushtria izraelite njoftoi sot se ka nisur një sulm të synuar në selinë kryesore të Hezbollahut në periferi të jugut të Bejrutit.
Mediet libaneze shkruajnë se sulmi i fuqishëm ka shkatërruar gjashtë godina. Ky ishte sulmi më i madh i forcave ajrore izraelite në periferinë e Bejrutit, Dahiya, e cila konsiderohet si bastioni i Hezbollahut.
Fox News raporton se objektivi i sulmit të fundit izraelit në Bejrut ishte udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Në qytet mbretëron kaosi, të mbijetuarit po përpiqen të gjejnë shpëtimtarët por edhe ushtrinë. Ndërkohë, edhe iranianët kanë reaguar; agjencia shtetërore Tasnim ka shkruar se Nasrallah është i sigurt dhe se informacionet e përhapura nga Izraeli nuk janë të sakta.
Mediet izraelite shkruajnë se e gjithë struktura e sigurisë izraelite aktualisht ndodhet në bunkerë. Herën e fundit kur Izraeli u përpoq të vriste Nasrallahun ishte në vitin 2006 gjatë luftës libanezo-izraelite.
Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për sulmet ajrore izraelite në jug të periferive të kryeqytetit libanez, Bejrutit.
“OKB-ja po e vëzhgon zhvillimin e ngjarjeve me shqetësim të madh,” tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, gjatë një konference për shtyp.