Sulmi ndaj dy shqiptarëve në veri, reagon Policia: U sulmuan nga një grup kriminelësh me maska

Policia e Kosovës, ka dhënë detaje rreth sulmit që u është bërë dy personave, kosovarë, sot në Mitrovicën veriore, duke thënë se, viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer, shkruan Gazeta Metro.

Në komunikatën e PK’së shtohet edhe se, njësitet policore kanë intervenuar për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës veriore.

Për shkak të sulmit, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor.

Prishtinë, më 1 qershor 2023

Më datë 01.06.2023, në Mitrovicë Veri janë sulmuar dy qytetar meshkuj kosovarë, të cilët kanë  qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në Mitrovicë Veri. Viktimat janë sulmuar nga një grup  kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.

Aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm  individëve apo grupeve të caktuara kriminale, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi.  /gazetametro.net

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi