Sulmues të armatosur dhunojnë dhe grabisin futbollistin e Barcelonës, Aubameyang

Grabitja ndodhi pas mesnate në shtëpinë e futbollistit Aubameyang, kurse policia është në kërkim të grabitësve.

Sulmues të armatosur hynë në shtëpinë e futbollistit të Barcelonës, Pierre Emerick Aubameyang, të cilët e rrahën dhe e grabitën.

Mediat katalanase raportuan se shtëpia e 33-vjeçarit Aubameyang është grabitur nga katër persona të armatosur.

Policia tha se ngjarja ka ndodhur pas mesnate, kur futbollisti dhe familja e tij ndodheshin në shtëpi. Sulmuesit kanë hyrë në shtëpi nga kopshti me maska ​​në fytyrë, kanë kërcënuar me armë futbollistin dhe bashkëshorten e tij dhe më pas kanë hyrë dhe kanë grabitur kasafortën me bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Më pas grabitësit u larguan.

Duke cituar burime policore, Radio RAC 1 raporton se Aubameyang u godit në nofull me një shufër metalike dhe se ai dhe gruaja e tij ishin të lidhur në shtëpi për një orë.

Futbollisti dhe bashkëshortja e tij kanë mbetur me plagë të lehta, ndërsa policia është në kërkim të grabitësve.

Gazeta “El Periodico” gjithashtu raportoi se hajdutët hynë në të njëjtën shtëpi rreth dy muaj më parë, por Aubameyang dhe familja e tij nuk ishin në shtëpi në atë kohë.

Grabitjet e shtëpive të futbollistëve të famshëm në Barcelonë kanë ndodhur edhe më parë, ndërsa viktima të grabitësve kanë qenë edhe Jordi Alba dhe Kevin Boateng.

Kategoritë
Sport