Shkruan: Bayram Pomak
Të rinjtë që në një dorë mbajnë shishe të birrës e në tjetrën cigare ose mariuhana të mbështjellë në letër, të hipnotizuar nga muzika e zhurmshme dhe të mbështetur në njëri tjetrin.
Të rinjtë që në cepe përdorin drogëra më të rënda në një ambient të mbuluar nga tymi i mariuhanës, etj etj. A mund të jetë kjo pamje e mirë?
Apo kjo pamje a mund të quhet moderne ose përparimtare? Shumica prej nesh mund të mos e quaj të tillë, por këtë panoramë përpiqen të na e shesin si përparimtare, moderne dhe të mbështetur në vlera, madje këtë e bëjnë mediat, politika dhe ojq-të.
Gjendjen më të rëndë të kësaj pamjeje e shohim te Sunny Hill dhe Fest-et e ngjashme. Madje edhe presidentja sikur s’ka gjë tjetër për të treguar në Bruksel fliste për Dua Lipa-n dhe Sunny Hillin.
Ky është niveli më i lartë i kompleksit të inferioritetit. Nëse i shikoni statistikat, do ta shihni shumë mirë se në ç’drejtim shkon shoqëria.
Çdo ditë e kemi një rast të vetëvrasjes, dhe shumë tentim vetëvrasje që s’reflektohen në media. Fëmijë të braktisur që s’ju dihet babai, vajza shtatzëna në moshë minorene, rritja e përdorimit të drogës, rënia e moshës së përdoruesve dhe shumë gjëra tjera po shtohen me kalimin e kohës. Këto FEST-e që po organizohen, a nuk ndikojnë fare në shtimin e këtyre fenomeneve?
Po, ndikojnë. Madje janë ndikuesit kryesorë. FEST-et janë treg gjigant për shitësit e dorgës. Stil jetese që media përpiqet ta prezantojë përmes FEST-eve. Jetë pa vlera. Veçse fatkeqësisht e shohim se ka edhe nëna e baballarë që këtë stil jetese pa vlera e shohin si modern dhe përparimtarë.
Duhet të themi se Mbreti është lakuriç dhe se këto festivale s’kanë ndikim tjetër përveç dëmit që ia bëjnë shoqërisë.
Andaj lajmi që jepej për mos-realizimin e Sunny Hill në Kosovës nuk ishte brengosës, por përkundrazi për t’u përshëndetur. Por kthimi i sërishëm i këtij festivali në Prishtinë është tejet brengosës.
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.