Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se ndeshjet e Superkupës do të zhvillohen në Prizren, prej 7 deri më 11 shtator 2024.
Vendimi për këtë organizim është marrë të premten nga Bordi i FBK-së, raporton Telegrafi.
“Bazuar në kompetencat e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që dalin nga Statuti, gjegjësisht neni 23, si dhe bazuar në Rregulloren e Punës së Bordit të FBK-së, më 23.08.2024, pas mbylljes së konkursit, Bordi i FBK-së ka marrë vendim për organizimin e Superkupës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve në qytetin e Prizrenit, në datat 7-11 shtator 2024”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se Superkupa do të organizohet nga FBK-ja në bashkëpunim me KB Bashkimi.
“Për pesë ditë radhazi do të jetë festë e basketbollit me tetë klubet e elitës së basketbollit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Entuziazmi për këtë organizim të premten është shprehur edhe nga KB “Bashkimi”.
“Në qytetin e lashtë të Prizrenit, i njohur për historinë dhe kulturën e tij, do të zhvillohen pesë ditë të mbushura me emocion dhe adrenalinë! Nga data 7 deri më 11 shtator, do të mbahet Superkupa e Kosovës në basketboll, ku ekipet më të mira të vendit do të përballen në një garë të ashpër për trofeun e Super Kupës”, thuhet në njoftimin e klubit nga Prizreni.