Sveçla: Ata që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar në lidhje me protestën e sotme të serbëve në pikën kufitare në Jarinje, në territorin serb.

Sveçla tha se sot u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibdride serbo-ruse, ndaj Republikës së Kosovës.

Sveçla me këtë ka rast ka njoftuar se “ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërorë e joshtetërore të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dytë Botërore, që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu”, transmeton lajmi.net.

Ministri i Brendshëm, Sveçla, ka siguruar qytetarët se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka të gjitha kapacitetet e nevojshme të përballet me këto struktura kriminale dhe se po bëhen të gjitha vlerësimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë.

Postimi i plotë:

Sot, në anën serbe të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Republikës së Kosovës.

Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviqi (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Ëagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar.

Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dyte Boterore, që ndëzën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu.

Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën.

Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian!

Por, gjithashtu dua të siguroj të gjithë qytetarët tanë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka gjitha kapacitetet e nevojshme te përballet me këto struktura kriminale dhe se ne po bëjmë gjithë vlersimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të republikës sonë.

Kategoritë
LajmeVendi