Sveçla demanton raportimet për keqtrajtimin e Miliçeviqit: S’ka ngritur ankesa as te policia kufitare serbe

Ministri i Ministrisë për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mohuar që zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës e kanë keqtrajtuar drejtorin ekzekutim të organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq, siç është raportuar.

Sveçla ka thënë se nga vizitat e tij të shpeshta në Jarinjë, është bindur për sjelljen shembullore të policëve kufitarë.

“Nga mediumet e ndryshme sot jam njoftuar për pretendimet e Miodrag Milicevic, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “Aktiv”, se është keqtrajtuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinje. Nga vizitat e mia të shpeshta atje dhe takimet me të gjithë zyrtarët policor, jam bindur me sjelljen shembullore të zyrtarëve policor, por përkundër kësaj, kam kërkuar raport nga zyrtarët policor të kufirit dhe hetim të këtyre pretendimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës, me rezultatet e të cilit qytetarët tanë do të njoftohen në kohë rekorde”, thuhet në reagimin e Sveçlës.

Ministri Sveçla thënë se gjatë kalimit kufitar të Miliçeviq në Jarinjë, nuk ka ndodhur asnjë problem apo incident. I njëjti, sipas ministrit, nuk ka ngritur asnjë shqetësim as te zyrtarët kufitarë serbë.

“Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Milicevic ka kaluar sot në pikën kufitare në Jarinje dhe nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë. Për të konfirmuar këtë, zyrtarët tanë policor kanë kontaktuar me zyrtarët kufitar të Serbisë të cilët kanë njoftuar se i njëjti nuk ka paraqitur ndonjë shqetësim apo problem gjatë kalimit kufitar. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë në shërbim të të gjithëve pa dallim, për të ofruar siguri. Institucionet tona respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë e veprojnë në Kosovë, duke garantuar kështu siguri, mirëqenie e barazi për ta”, ka shkruar Sveçla.

Një ngjarje e tillë është mohuar gjatë ditës edhe nga Policia e Kosovës. Përmes një njoftimi për media nga PK-ja, është bërë e ditur se ky lajm nuk është i vërtetë.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, lidhur me shkrimet e publikuara/raportuara nga organizata të ndryshme si: “NGO Aktiv” e të tjera, ku sipas tyre sot në Jarinje nga zyrtarët policorë është sulmuar z. Miodrag Milicevic, ju informon se ky raportim nuk qëndron dhe se është i pavërtetë. Sot, në orën 09:28 personi në fjalë (M. M.) me automjetin e tij, është paraqitur në vendkalimin kufitar SPK-Jarinje dhe pas përfundimit të procedurave kufitare i njëjti pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë. Vlen të potencohet se ndaj të njëjtit nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara” thuhet në reagimin e PK-së.

 

Kategoritë
LajmeVendi