Sveçla jep detaje të reja për serbët e arrestuar në Kosovë: Janë ndaluar 16 persona, 12 nga ta në Prizren

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje të reja për serbët e arrestuar në Kosovë.

Sveçla, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se sot janë ndaluar edhe 16 persona në katër automjete me targa të Serbisë.

“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.

Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, ka thënë Sveçla.

Sveçla, ka dhënë detaje të reja se çfarë u gjend gjatë kontrrollit të automjeteve ku u gjetën një hartë e Kosovës dhe fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit të Banjskës.

“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe.

Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.

Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, ka shkruar Sveçla.

Ndërsa ka shtuar se fakti që 12 personat e ndaluar në Prizren janë strehuar në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione.

“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”, ka shkruar Sveçla.

Ministri Sveçla ka kërkuar nga organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme.

Gjithashtu ka ftuar edhe qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi