Sveçla reagon për herë të parë për vrasjen e shtatzënës në QKUK, thotë se ka kërkuar të hetohen edhe policët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për herë të parë për rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK’së, duke thënë se do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës për këtë rast, raporton Express.

Sveçla ka deklaruar se ka kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë

“Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër. Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, një vrasje makabre është kryer dje rreth orës 18:00, në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Viktima është Hamide Magashi, një 35-vjeçare që ishte në javën e 41’të të shtatzanisë. Ajo është vrarë para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, ku kishte shkuar për të kryer lindjen.

I dyshuari për vrasje është Sokol Halili, me të cilin viktima ishte në prag të divorcit. Pas vrasjes, ai ka ikur dhe ende ndodhet në arrati.

Vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00, derisa Policia e Kosovës e ka konifirmuar rastin në orën 19:00.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka deklaruar mbrëmë për Gazetën Express se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas raportimeve në media, 35-vjeçarja kishte dalë nga klinika për të blerë diçka dhe kur po kthehej ishte takuar me ish-bashkëshortin, i cili raportohet se menjëherë ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me tre plumba.

Kategoritë
LajmeVendi