Sveçla takohet me dy ministrat turq, e dënon “sulmin terrorist” në Ankara

Kisha nderin e veçantë të pritem sot në takime të ndara nga Ministri i Brendshëm i Republikës së Turqisë, Ali Yerlikaya dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takime të ndara homologun e tij turk, Ali Yerlikaya dhe ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yashar Guler.

Sveçla tha se me dy ministrat turk folën për bashkëpunimin që gëzojnë deri tash institucionet e të dyja vendeve, ku tha se ritheksoi përkushtimin për angazhim të mëtejmë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes për qytetarët në të dy vendet.

“Duke qenë se u takuam përgjatë kohës që po mbahet panairi Saha Expo 2024, diskutuam edhe për mundësitë që ofron ky panair si dhe nevojat e ngritjes së kapaciteteve tona në fushën e sigurisë”.

“Pas takimit me Ministrin e Brendshëm z. Yerlikaya, nënshkruam edhe marrëveshjen për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme e terrorizmit”, tha Sveçla.

Më tej, Sveçla tha se vetëm pak orë pas këtyre takimeve, Turqia u trondit nga, siç tha ai, sulmi terrorist në Kompaninë Aksionare të Industrive Ajrore Turek në Ankara, ku deri më tani raportohet për katër të vdekur dhe 14 të lënduar.

“Akte të tilla janë një tragjedi jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por për të gjithë ne që vazhdojmë të punojmë për paqe dhe siguri. Dënojmë ashpër këtë sulm terrorist dhe shprehim ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve”, tha Sveçla.

Kategoritë
BotaLajmeLajmet KryesoreVendi