Kur bie fjala për Dr. Svetllana Ceniq (Svetlana Senić), opinioni ndahet në dysh. Por edhe kundërshtarët e saj nuk mund ta mohojnë se ajo është njëra nga gratë më të angazhuara si analiste e opinioniste, që me zotësi i kupton dhe shtjellon temat rreth ekonomisë, politikës etj. Ajo ka drejtuar Ministrinë e Financave të entitetit Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo mban dy doktorata në fushën e ekonomisë nga universitetet në SHBA dhe Zvicër. Ka magjistruar në Universitetin e Kembrigjit, kurse studimet fillestare i ka mbaruar në Universitetin e Sarajevës. Analizat e saj në ekonomi dhe çështjet shoqërore e politike kanë ngarkesa të cinizmit e humorit. Askush nuk e vë në dyshim profesionalizmin e saj, kurse shumë ia shohin për të madhe për ashpërsinë dhe transparencën që i karakterizon tekstet e saj. Duhet të përmendet që ajo është edhe Anëtare e Bordit të Drejtorëve të “Transparency International” me qendër në Bosnje dhe Hercegovinë. Po ashtu është e specializuar në fushën e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm, ku edhe është anëtare e Rrjetit Botëror për Zhvillim të Qëndrueshëm, organizatë kjo e drejtuar nga princi Charls i Mbretërisë së Bashkuar.

prof.dr. Svetlana Senić
Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Ceniq flet për sfidat e Bosnje dhe Hercegovinës, euro-integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporte e Bosnje dhe Hercegovinës ndaj Kosovës, njohjen e mundshme nga BeH për Kosovën si dhe liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.
Ndër të tjera Ceniq thotë se “Në Bosnje dhe Hercegovinë pak kush merret me çështjen e Kosovës, nëse duam të jemi të sinqertë, dhe pak kush i di rrethanat në Kosovë, të pyeturit vetëm mund të thonë se situata atje është e keqe. Si e keqe? Pse e keqe? Pak kush di t’i jap përgjigjet”.
GeR: Znj. Ceniq, vendet e Ballkanit Perëndimor edhe sot janë në një formë pritjeje për t’ju bashkangjitur Bashkimit Evropian. Marrëdhëniet mes tyre nganjëherë japin përshtypjen sikur ato janë në afërsi të kufirit për luftë. Cili është komenti juaj për këtë?
Ceniq: Tamam kur plagët fillojnë të shërohen, dikush mundohet që t’i hapë ato përsëri. Duket se elitat tona politike nuk kanë argumente tjera ose përgjigje për problemet ekonomike, vetëm që të valëvisin flamujt e luftës, duke prerë degët në të cilat ulemi që të gjithë. Ngase, e gjitha kjo e minon zhvillimin ekonomik dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Natyrisht, problemi më i madh është te vendosja e sundimit të ligjit dhe çështja e përgjegjësisë për kriminalitetin e korrupsionin e madh, nga njëra anë, dhe fakti që të gjitha partitë politike apo forcat politike duken njësoj: pa zgjidhje, nuk ka vizion, nuk ka vullnet të mirëfilltë dhe dituri. Shumë herë kam thënë publikisht se vendin (vendet) po na e drejtojnë njerëzit e retarduar, dhe kështu ata po lënë pas vetes kaos. Këta individë të “papërfunduar”, e kanë lënë në gjysmë edhe vendin tonë, duke e bërë këtë shtet të papërfunduar. Këta s’kanë mënyrë tjetër pos që nëpërmjet ngritjeve të tensioneve, e madje edhe kërcënimeve me luftë, ta mbajnë të nënshtruar elektoratin e tyre dhe si peng gjithë popullin. Me të vërtetë kjo është e neveritshme. Elita politike betohet në popullin dhe proklamon sesi ato janë duke luftuar për ata. Në të njëjtën kohë populli është edhe më i varfër, kurse elita politike më e pasur.
GeR: Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina kalon në situata të cilat lënë përshtypjen sikur gjithçka është çështje e mbijetesës. Ku gjendet shteti i BeH sot?
Ceniq: Shtet i papërfunduar, peng i politikave të papërgjegjshme e të korruptuara dhe “liderëve” ambicioz. Këtë shprehje – “liderë” po e vë në thonjëza sepse nuk është detyrë e lidershipit të shkohet prapa, por përpara. Shikuesit i duket që në skenë është lufta e forcave centrifugale, e mishëruar në Republikën Serbe dhe deri diku tek partitë politike kroate, të cilat duan të largohen nga qendra, dhe centripetale, nga ana tjetër, të mishëruara tek forcat politike boshnjake, të cilat do ta centralizonin shtetin në tërësi. Por, nuk është ashtu. Në fakt, askush nuk punon për ta funksionalizuar shtetin, ngase të gjitha elitave politike u konvenon ky kaos. Siç e thashë, kjo është fushata më e shpaguar dhe mënyra më e thjeshtë për ta mbajtur gjithë shoqërinë të nënshtruar. Në Bosnje dhe Hercegovinë më së shpeshti nga njerëzit mund ta dëgjoni atë: “Lëreni, mirë është, vetëm mos të kërcet”, ose “Le të jetë koka gjallë”, dhe për këtë manipulimi me frikën dhe kërcënimin me luftë është në skenë veç shumë vite e prej të cilës është shpërlarë truri, ndërsa dinjiteti pothuajse është vrarë. Para kësaj, injoranca është e madhe, sepse mediet, në shumicën e rasteve, janë bërë zëdhënës të forcave politike, kurse arsimi ka degraduar deri në VJELLJE. Sidoqoftë, ndryshimet imponohen nga jashtë, po ashtu edhe kjo Agjenda e Reformave, e cila po i prodhon katër faktorë në BeH: Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Më lejoni t’ju kujtoj se ende, të paktën formalisht, autoriteti më kryesor dhe interpretues i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, është Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR). Dhe çfarë është skena? Për shkak të borxhit të lartë dhe pamundësisë për t’iu përgjigjur sfidave ekonomike, autoritetet qeverisëse bien dakord për çdo gjë, pa përzgjedhur, bashkëpunojnë në kooperim, e që në të vërtet i bllokojnë të gjitha proceset. Bosnja dhe Hercegovina është vazhdimisht subjekt i disa eksperimenteve apo reformave të imponuara nga jashtë, kurse minimalisht që prej dhjetë viteve, ne kemi qenë në krizë të vazhdueshme. Faktori ndërkombëtar i deklaron si sukses këto reforma, ata shkojnë kurse ne merremi me pasojat. Dhe askush nuk e merr përgjegjësinë për dështimet! As vendorët e as ndërkombëtarët. Për sa kohë që është kështu, dhe të njëjtat elita politike sundojnë e të njëjtit njerëz bëjnë kaos, ku pastaj brenda natës bëhen reformatorët, nuk ka përparim.
GeR: Njëri nga kushtet e Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor është edhe politika e fqinjësisë së mirë dhe raporteve të mira fqinjësore. A i plotësojnë këto kushte këto shtete?
Ceniq: Bosnje dhe Hercegovina është shtet me shumë sy: një sy sheh në Beograd, tjetri në Zagreb dhe së fundi kemi zhvilluar edhe syrin e tretë, i cili sheh sinjalet nga Stambolli. Duke shikuar nga ta, po biem në moçal, gjegjësisht, në vijimësi po biem në pengesat që i kemi para hundësh. Jemi viktima të shumësish së syve, jemi viktima të asaj që nga një herë më shumë mbrohen interesat politike të Zagrebit, Beogradit ose Stambollit, sesa që shikohen interesat e popullit dhe shtetit tonë. Në anën tjetër, për vendet në fqinjësi, posaçërisht për Kroacinë dhe Serbinë, Bosnje e Hercegovina është mjet për negocim dhe shantazh. Atëherë, si mund të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore? Industria mundohet, punon edhe në këto kushte të vështira të marrëdhënieve politike dhe në ato duhet të shikohet. Por e dinë edhe ata që udhëheqësit e shteteve të rajonit shumë mirë komunikojnë në nivelin privat, bile edhe në nivele të interesit-privat, kurse pastaj japin deklarata nxitëse në publik. Në këtë proces, vuan ekonomia e dobët, e për këtë është e lartë edhe shkalla e papunësisë dhe një standard i ulët i gjithë popullatës së rajonit. Nuk jam ithtare e tezës se çdo gjë do të zgjidhet kur do të bëhemi njëherë anëtare të Bashkimit Evropian, ngase edhe vet e dimë që problemet e pazgjidhura ngelin edhe me anëtarësim në BE. Mos të përmendim shembullin e Spanjës, Britanisë së Madhe, Qipros e të ngjashme. Mbroj tezën që së pari na duhet të vendosim bashkëpunime të ngushta ekonomike në rajon, lidhje më e mirë në të gjitha rrafshet para anëtarësimit formal në BE.
GeR: Bosnje dhe Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë as dokumentet e udhëtimit të cilat i lëshon MPB e Republikës së Kosovës, ku me këtë qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë për në BeH. A ka emër fajtori në këtë rast?
Ceniq: Përderisa Serbia nuk e pranon Kosovën, nuk do ta bëjë as Bosnje dhe Hercegovina, ngase Republika Serbe gjithmonë do të vendos veto. Por tani më duhet të ju përmirësojë këtu, kur është në pyetje zgjidhja e problemit të lëvizjes së lirë. Është e vërtetë se BeH e para ka vendosur viza, e reciprokisht me këtë edhe Kosova Bosnje dhe Hercegovinës, por BeH është nisur në procesin e liberalizimit të vizave dhe është ofruar një zgjidhje. Vendimin e ka marr Presidenca e BeH dhe Këshilli i Ministrave të BeH dhe është dërguar ftesë për takim në një teren neutral që kjo çështje të zgjidhet. Mirëpo, Qeveria e Kosovës gjithherë e ka shtyrë këtë, e arsyeja e parë ka qenë zgjedhjet, formimi i Qeverisë kurse tani nuk di cila është arsyeja. Në ndërkohë, për informimin tuaj, institucionet e Kosovës kanë refuzuar diku rreth 600 kërkesa për viza, ndërsa BeH nuk e ka refuzuar asnjë kërkesë. Tani, edhe ju pyetni Qeverinë tuaj çka po pret?! Ngase, nuk është në pyetje vetëm liberalizimi i vizave, por edhe pranimi i të gjitha dokumenteve të nevojshme e relevante, të cilat do të zgjidheshin me këtë.
GeR: A do të ndërrohet raporti i Bosnje dhe Hercegovinës ndaj Kosovës dhe nëse po, kur do të mund të ndodhte kjo?
Ceniq: Njëherë për njëherë nuk do të ndryshojë. Siç e thash, Republika Serbe nuk do të pajtohet me njohjen e Kosovës, deri sa Serbia nuk e pranon Kosovën ose deri sa në Serbi nuk ka pajtim për këtë.
GeR: Kosova me shumë peripeci po mundohet ta ndërtojë të ardhmen e saj. Kriza politike po zgjat veç disa kohë. Presionet janë nga brenda e nga jashtë. Me cilin shikim BeH e sheh Kosovën dhe perspektiven e saj?
Ceniq: Në BeH pak kush merret me çështjen e Kosovës, nëse duam sinqerisht, dhe pak kush e di rrethanat në Kosovë. Të pyeturit vetëm mund të thonë se situata atje është e keqe. Si e keqe? Pse e keqe? Pak kush i di përgjigjet. Mos harroni se ka edhe shumë paragjykime, dhe nuk ka sëmundje më të rëndë se paragjykimet.
GeR: Në rrafshin ekonomik ka pasur më shumë bashkëpunim mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Ku ndodhen sot këto marrëdhënie?
Ceniq: Humbjet janë për të dyja palët, kryesisht për shkak të vizave, dhe për këtë fitimtar janë brokerat dhe agjentët. Por, të ju jap një shembull: Serbia shet më shumë mallra në Kosovë, sesa në të gjithë Rusinë. A publikohen këto informacione në Republikën Serbe, e cila edhe vet ka një deficit të madh tregtar me Serbinë? Jo, sigurisht. Derisa politika flet njërën, ekonomia flet tjetrën. Unë do të doja që më shumë të dëgjoja ekonominë, për shkak se këtu qëndron interesi i shumicës, dhe jo vetëm i elitës politike të privilegjuar.
GeR: Dhe për fund, cili do të mund të ishte mesazhi i juaj, posaçërisht politikanëve në Kosovë?
Ceniq: Nuk është e thënë të duhemi, por mund të kemi interesa të përbashkëta, të cilat faktikisht më gjatë ekzistojnë se sa cilado dashuri. Na lejoni të shohim cilat janë interesat e përbashkëta, hajde që edhe në atë Bashkim Evropian të shkojmë si vende me standard të dinjitetshëm dhe me jetë kualitative dhe jo si kushërinj të varfër, të cilët të gjithë turpërohen dhe fshihen kur vijnë mysafirët. Në të kundërtën, në të gjitha vendet, popujt e frustruar do ta derdhin energjinë e grumbulluar për t’i shkatërruar pushtetarët dhe pasuritë e tyre.
Kush nuk di ta vlerësojë këtë moment kritik, nuk duhet të merret me politikë, nga se kjo do të thotë që nuk ka mësuar asgjë nga historia, se si kanë përfunduar dekadat e diktatorëve. /Gazetaere.com/