E ardhmja e Sylvinhos në krye të shtabit teknik të Kombëtares së Shqipërisë është ende në pikëpyetje.Trajneri mbërriti në janar të 2023-shit dhe pas Europianit përfundoi kontrata e tij dhe stafit ndihmës, si Zabaleta apo Doriva.
Ndërkohë, nga ana tjetër “Panorama Sport” mëson se Silvinjo ka një ofertë në tavolinë nga një klub në ligën portugeze. Kjo i trazon disi ujërat në Kombëtaren shqiptare pasi ndeshjet e radhës vijnë shpejt, në shtator do të nisë edicioni i ri i Ligës së Kombeve.Mes dëshirës për tu rikthyer në një klub dhe mes “zjarrit” të kualifikueseve të Botërorit 2026 me kuqezinjtë, Silvinjo është në një udhëkryq me dosjen e trajnerit në dorë.
Një rinovim i munguar, ngre edhe më shumë dyshimet se trajneri po heziton për të vazhduar këtë projekt me Shqipërinë, apo ndoshta mund të ketë dëshirën për të vijuar, por nuk puqen kushtet financiare me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe pas suksesit me kualifikimin në Europian, “steka” tashmë është ngritur disi më lart dhe rroga nuk mund të jetë e njëjtë.
Një largim të mundshëm e forcon më shumë interesi i disa klubeve në Europë, por edhe një ofertë që trajnerit i ka mbërritur nga një klub portugez, ku emri aktualisht nuk bëhet i ditur. Ditë të nxehta, por një zgjidhje duhet të vijë sa më shpejt pasi grumbullimi i radhës është vetëm dy muaj më vonë.