Szijjarto mbështeti Trumpin në vendosjen e tarifave për Evropën dhe kritikoi ashpër Brukselin: “Sepse janë frikacakë”

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, reagoi ndaj njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj Bashkimit Evropian, duke e përshëndetur këtë hap të Shtëpisë së Bardhë.

Në një deklaratë për media, Szijjarto tha se që nga nëntori i vitit të kaluar, e gjithë bota e di se presidenti i SHBA-ve është një patriot.
“E gjithë bota, përfshirë Brukselin dhe Komisionin Evropian të udhëhequr nga Ursula von der Leyen, e dinte shumë mirë se Donald Trump dëshiron kushte të balancuara tregtare. Dhe në Bruksel e dinin se Uashingtoni do të vendoste tarifa nëse nuk do të ndërmerrnin asgjë. E dinin, por nuk bënë asgjë. Sepse janë të paaftë dhe, mbi të gjitha, frikacakë,” – tha Szijjarto.

Akuza të rënda

Trump: “Po vendosim tarifa prej 25% për Evropën, BE-ja është krijuar për të mashtruar amerikanët”

Szijjarto theksoi gjithashtu se Komisioni Evropian e ka maltretuar Trumpin për tetë vjet.
“Janë frikacakë, sepse për tetë vjet e kanë maltretuar Donald Trumpin, dhe tani nuk guxojnë as ta sfidojnë. Udhëheqja e tipit Ursula von der Leyen në Bruksel tani po përballet me një tjetër goditje ndaj ekonomisë evropiane. Një udhëheqje si ajo e Ursulës në Bruksel tashmë ka izoluar ekonominë evropiane, jo vetëm nga Kina, por edhe nga SHBA-ja. Ne kemi dhënë një propozim: Bashkimi Evropian duhej ta ulte tarifën për shitjen e makinave amerikane në Evropë nga 10% në 2.5%, sepse pikërisht kjo tarifë do të ndikojë në shitjen e makinave evropiane në Amerikë. Do të ishte e thjeshtë, por nuk e bënë,” – deklaroi ai.

Në fund, Szijjarto tha se Budapesti do të korrigjojë gjithçka që Brukseli ka dëmtuar.

“Burokracia e Brukselit po vret ekonominë evropiane. Sanksionet ndaj Rusisë, tarifat ndaj industrisë kineze të makinave elektrike dhe paaftësia e plotë për të negociuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që Brukseli ka shkatërruar, ne do ta rregullojmë këtu në Budapest. Do të vazhdojmë negociatat bilaterale me administratën amerikane për të vendosur bashkëpunimin ekonomik hungarezo-amerikan më të mirë dhe më produktiv të të gjitha kohërave në muajt e ardhshëm,” – përfundoi Szijjarto.

Kategoritë
BotaLajme