Szijjarto në Ankara: “Togg” është tregues se sa është zhvilluar ekonomia turke

Ministri i Jashtëm hungarez, Szijjarto ndodhet në Türkiye me rastin e hapjes së Medicor Medical, investimi i ri i vendit të tij në Türkiye dhe me këtë rast iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Anadolu

Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto tha se Togg është treguesi më i mirë se sa është zhvilluar ekonomia turke dhe se populli turk me të drejtë mund të jetë krenar, raporton Anadolu.

Szijjarto ndodhet në Türkiye me rastin e hapjes së Medicor Medical, investimi i ri i vendit të tij në Türkiye dhe me këtë rast iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Anadolu.

I pyetur për rezervat e Hungarisë për mos ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, Szijjarto tha se ky proces miratimi është në duart e parlamentit dhe se qeveria e ka informuar parlamentin për qëndrimet e saj pozitive.

“Në vitet e fundit, autoritetet suedeze kanë poshtëruar vazhdimisht Hungarinë dhe popullin hungarez, kanë kritikuar dhe vënë në pikëpyetje demokracinë e sistemit tonë politik. Suedia na ka akuzuar se nuk u përmbahemi vlerave të përbashkëta evropiane, për shkelje të standardeve demokratike, duke vënë në pikëpyetje pjekurinë e popullit hungarez që vetë të vendosin për të ardhmen e tyre. Ata vunë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve tona dhe rrjedhimisht edhe parlamentin. Prandaj përfaqësuesit që bëjnë fushatat e tyre parazgjedhore nuk e kuptojnë se si një faktor i jashtëm mund të vë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare”, tha Szijjarto.

I pyetur për procesin e anëtarësimit të Türkiye-s në Bashkimin Evropian (BE), Szijjarto rikujtoi se aktualisht nuk ka konsensus për Türkiye-n në BE.

“Për shkak se disa vende nuk kanë guximin të thonë hapur pikëpamjet e tyre ballë për ballë, ata i thonë gjërat me dyer të mbyllura. Disa vende janë seriozisht kundër përshpejtimit të procesit të pranimit të Türkiye-s. Në këto kushte, ne si Hungari duam të krijojmë bashkëpunimin më të mirë mes BE-së dhe Türkiye-s”, tha Szijjarto.

Duke potencuar se vendi i tij është një nga vendet më të prekura nga lufta për shkak të fqinjësisë me Ukrainën, ministri theksoi rëndësinë e rolit të Türkiye-s në këtë fushë.

“Përpjekja e vetme e suksesshme për ndërmjetësim ishte marrëveshja e grurit e nënshkruar nga Turkiye, nga vet presidenti Erdoğan. Palët në konflikt janë kontraktuar që nga shpërthimi i luftës. Marrëveshja e vetme e rëndësishme që palët në konflikt arritën të lidhnin që nga fillimi i luftës ishte kjo marrëveshje e grurit. Prandaj, ne besojmë se Türkiye duhet të luajë rolin kryesor në periudhën e ardhshme, kur të krijohen kushtet për negociatat e paqes”, tha Szijjarto, duke shtuar:

“Për këtë arsye, ne shpresojmë që qeveria turke të vazhdojë të punojë dhe të kontribuojë për paqen botërore”.

Szijjarto foli edhe për automjetin vendor turk Togg.

“Fakti që Turkiye mund të prodhojë automjetin e saj tregon se sa është zhvilluar ekonomia turke, sepse industria kombëtare e automjeteve tregon se ekonomia është në një nivel tjetër”, tha Szijjarto, duke shtuar: “Jemi të vetëdijshëm se çfarë përpjekje nevojiten për të arritur deri në pikën ku është Turkiye. Për këtë arsye, populli turk me të drejtë mund të jetë krenar”.

Ai shtoi se me homologët e tij turq, për sa i përket Togg-ut turk, kanë shqyrtuar futjen e tij edhe në tregun hungarez dhe se beson se Togg mund të konkurrojë me markat e tjera.

Në fund ai i uroi presidentit turk Erdoğan suksese në zgjedhjet e ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme