Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i ka reaguar ish-presidentit serb, Boris Tadiç, pas deklaratës së këtij të fundit ku tha se beson se do të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në fund të nëntorit ose fillim të muajit dhjetor.
Në reagimin e tij, Petkoviç tha se interesat kombëtare të Serbisë janë shkelur pikërisht nga Tadiç, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas tij, presidenti aktual, Vuçiq, po lufton për ta mbrojtur popullin serb, ndaj retorikat si kjo e ish-presidentit Tadiç nuk zënë vend.
“Interesat tona kombëtare në Kosovë dhe Metohi u shkelën nga politika katastrofike e Boris Tadiqit. Ndërsa “e bëri heroin” nga Rumania duke njoftuar kur e ashtuquajtura Kosova shpalli pavarësinë. Aleksandar Vuçiq po lufton me mençuri dhe guxim për të mbrojtur popullin tonë në krahinë dhe do ta bëjë këtë derisa të jetë në krye të Serbisë”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.
Ndryshe, ish-presidenti Tadiç, daljen e serbëve nga institucionet, ngritjen e avionëve ushtarakë dhe rrëzimin e dronëve në Serbi, të gjitha “dramaticitetet” e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i konsideroi “prelud” i një marrëveshjeje në ardhje.
“Së shpejti do të shohim se çfarë dronësh, çfarë avionë Mig, largimi i serbëve nga institucionet dhe i gjithë ky dramatzim, do ta shohim për çka ishte e tëra. Në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm, pres një marrëveshje që do të paraqitet sikur të ishte fitore, por që në fakt automatikisht do të kërcënojë dramatikisht interesat tona legjitime në Kosovë”, ka shkruar ai në Twitter. /Reporteri.net/.