Tajani në Prishtinë: Italia e angazhuar për ta mbështetur paqen

Gërvalla në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij italian falënderoi Italinë për ndihmën e dhënë për Kosovën para luftës, pas luftës dhe në procesin integrues të vendit në BE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim në Prishtinë zëvendëskryeministrin italian, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Gërvalla në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij italian falënderoi Italinë për ndihmën e dhënë për Kosovën para luftës, pas luftës dhe në procesin integrues të vendit në Bashkimin Evropian (BE).

Gërvalla tha se me Tajanin ka biseduar rreth përparimit të Kosovës në fushën e ekonomisë, vlerat e përbashkëta evropiane, reformën institucionale dhe rritjen e investimeve në Kosovë. Ajo po ashtu njoftoi se kanë biseduar edhe për rrethanat gjeopolitike aktuale në Kosovë dhe Evropë.

“Biseduam për përpjekjet e Serbisë për de-stabilizimin e Kosovës përmes ndërhyrjeve masive në çështjet e brendshme të vendit tonë, kërcënimeve me dhunë e deri te kërcënimet jo të rralla me luftë. Biseduam se sundimi i ligjit është përgjigje e nevojshme që të jepet në të gjithë rajonin tonë, jo vetëm në Kosovë, sepse vetëm sundimi i ligjit mund të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problemet e rajonit tonë”, theksoi Gërvalla

Ministrja kosovare tha se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të kthehet asnjëherë prapa dhe duhet të ketë një rezultat përfundimtar që nuk mund të jetë ndryshe vetëm me njohje reciproke.

Ministri Tajani, nga ana e tij, tha se udhëtimi i tij në Serbi dhe Kosovë është mesazh se Italia përkrah të dyja vendet për të arritur një kompromis.

“Ne jemi të angazhuar për ta mbështetur paqen dhe nuk marrim nisma të njëanshme. Punojmë së bashku, gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Të njëjtën gjë e kam thënë edhe në Serbi, sepse qëllimi ynë është që të zgjidhim problemet”, theksoi Tajani.

Tajani vlerësoi vendimin e Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale për 48 orë dhe shtoi se edhe tek Serbia edhe tek Kosova ka parë gatishmëri për zgjidhjen e çështjeve.

Ministri italian tha se Ballkani ka vuajtur mjaft dhe nuk duhet krijuar probleme të reja më në rajon.

Tajani po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë bashkë me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, ku po zhvillojnë takime me udhëheqës të lartë të institucioneve kosovare.

Kategoritë
LajmeVendi