Tajvani: Rreth ishullit janë parë 29 avionë dhe 6 anije luftarake të Kinës

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se dje gjatë ditës përreth ishullit janë parë 29 avionë luftarakë dhe 6 luftanije që i përkasin Kinës

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se dje gjatë ditës përreth ishullit janë parë 29 avionë luftarakë dhe 6 luftanije që i përkasin Kinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e ministrisë thuhet se 13 nga avionët e vërejtur përreth ishullit kanë fluturuar në pjesën jugperëndimore të zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit dhe në lindje të vijës ajrore dhe detare të cilat konsiderohen kufizim i zonave të ndikimit të palëve në Ngushticën e Tajvanit.

Në deklaratë thuhet se mjetet ajrore dhe detare monitorohen me sisteme të mjeteve të ndjekjes elektronike, me avionë patrullues, anije dhe sisteme raketore tokësore.

Kina zhvilloi stërvitje ushtarake përreth ishullit pas vizitës që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi zhvilloi në Tajvan më 2 dhe 3 gusht. Stërvitjet e kryera në 6 rajone krijuan një bllokadë “de facto” përreth ishullit.

Ushtria e Kinës më 10 gusht njoftoi përfundimin e stërvitjeve, por tha se do të vazhdojë aktivitetet e patrullimit ushtarak në Ngushticën e Tajvanit.

Pelosi është kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, e cila pas 25 vitesh viziton ishullin që është në konflikt sovraniteti me Kinën. Më parë, Tajvanin në vitin 1997 e ka vizituar Newt Gingrich, teksa mbante këtë pozitë.

Kategoritë
BotaLajme