Takim Xi-Lula: “Kina dhe Brazili do të luajnë rol të rëndësishëm për paqen”

Presidenti kinez priti homologun brazilian për një takim dypalësh në Pekin

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka thënë se Kina dhe Brazili do të luajnë një “rol të rëndësishëm dhe pozitiv” për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonet e tyre dhe më gjerë, transmeton Anadolu.

Pas pritjes së homologut të tij brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, në Sallën e Madhe të Popullit në kryeqytetin Pekin për një takim dypalësh, Xi ka thënë: “Një marrëdhënie Kinë-Brazil që vazhdon të gëzojë një rritje të shëndoshë dhe të qëndrueshme do të luajë rol të rëndësishëm dhe pozitiv për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonet e tyre dhe më gjerë”.

Lula ndodhet në një vizitë shtetërore katërditore në Kinë që nga e mërkura pas shërimit nga pneumonia. Vizita e tij shtetërore në Kinë ishte planifikuar për muajin e kaluar, por iu desh ta shtynte për shkak të pneumonisë së lehtë.

Presidenti kinez i ka thënë homologut brazilian se ai vlerëson “rëndësinë e lartë që ai i kushton marrëdhënieve dypalëshe duke udhëtuar një distancë të gjatë deri në Kinë menjëherë pas shërimit të tij”, njoftoi Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Kina dhe Brazili janë dy vendet më të mëdha në zhvillim dhe tregje në zhvillim në hemisferat lindore dhe perëndimore”, ka deklaruar Xi.

“Si partnerë strategjikë gjithëpërfshirëse, Kina dhe Brazili ndajnë interesa të gjera të përbashkëta”, ka theksuar Xi, duke shtuar se ai është “i gatshëm të punojë me presidentin Lula për të drejtuar dhe krijuar një të ardhme të re për marrëdhëniet Kinë-Brazil në epokën e re”.

Të dyja palët nënshkruan disa marrëveshje.

Lula, ish-udhëheqës i sindikatave, të enjten sinjalizoi synimin e tij për t’u larguar nga varësia e dollarit amerikan në tregtinë ndërkombëtare.

“Pse të gjitha vendet janë të detyruara të bëjnë tregtinë e tyre në dollarë?”, tha Lula teksa merrte pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentes Dilma Rousseff në Bankën e Re për Zhvillim, e njohur më parë si banka BRICS në Shangai.

“Pse një bankë si BRICS nuk mund të ketë një monedhë që mund të financojë marrëdhëniet tregtare midis Brazilit dhe Kinës, midis Brazilit dhe vendeve të tjera të BRICS-it?”, tha Lula.

Lula ka kërkuar të largohet nga varësia nga dollari për tregtinë, duke nxitur BRICS-in –akronimi për pesë ekonomitë kryesore në zhvillim: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – për të krijuar një monedhë të re tregtare.

Kjo është vizita e tretë e presidentit Lula jashtë vendit, pas udhëtimeve për të takuar në Buenos Aires presidentin argjentinas, Alberto Fernandez dhe homologun e tij amerikan, Joe Biden, në Washington që kur u inaugurua në fillim të këtij viti.

Kina ka qenë partneri kryesor tregtar i Brazilit për 14 vitet e fundit dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe kaloi mbi 171 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Kategoritë
BotaLajme