Takimi i fundit para vdekjes: Papa Françesku u takua me JD Vance në Pashkë në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet

Papa Françesku ndërroi jetë të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u takua me nënkryetarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, në një përpjekje për të zbutur marrëdhëniet e tensionuara mes tyre.

Takimi në Vatikan, i mbajtur pikërisht në ditën e Pashkës, ishte i shkurtër dhe disi i tensionuar, pasi të dy liderët kishin mospajtime serioze, veçanërisht lidhur me çështjen e migrimit. Papa Françesku gjatë gjithë pontifikatit të tij ka mbrojtur fuqishëm të drejtat e migrantëve, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump, që tani përfaqësohet nga Vance, njihet për politikën e saj të ashpër kundër emigrantëve.

Vance, i cili është një i rritur i konvertuar në fenë katolike, thuhet se një ditë më parë ishte injoruar nga Papa dhe në vend të tij kishte zhvilluar bisedime me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, dhe ministrin e jashtëm, kryepeshkopin Paul Gallagher.

Burime nga Vatikani njoftuan se takimi midis Papës dhe Vance ishte “i shkurtër” dhe zgjati vetëm disa minuta në Domus Santa Marta, ku shkëmbyen urime për Pashkë. Papa i dhuroi Vance-it tre vezë të mëdha çokollate për fëmijët e tij, si dhe rruzare dhe një kravatë me simbolet e Vatikanit.

“E di që nuk jeni ndjerë mirë, por është mirë të ju shoh në gjendje më të mirë. Faleminderit që më pranuat,” i tha Vance Papës. Në fund të takimit, ai i tha: “Lutem për ju çdo ditë. Zoti ju bekoftë.”

Eskorta e blinduar e nënkryetarit të SHBA-së qëndroi gjithsej 17 minuta brenda territorit të Vatikanit, ndërkohë që Papa, për shkak të problemeve shëndetësore, ia kishte besuar udhëheqjen e meshës së Pashkës një kardinali tjetër. Më pas, Vance bashkë me familjen morën pjesë në meshë në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, ku vizituan edhe varrin e apostullit Pal.

Marrëdhëniet mes dy liderëve ishin të tendosura që nga muaji shkurt, kur Papa kritikoi hapur politikën e deportimeve masive të Trump-it, duke paralajmëruar se masa të tilla u mohojnë migrantëve dinjitetin e tyre të lindur. Në një letër drejtuar ipeshkvijve amerikanë, Françesku iu përgjigj në mënyrë të tërthortë edhe pretendimeve të Vance se doktrina katolike e justifikon një politikë të tillë.

Vance në atë kohë e mbrojti qëndrimin e tij duke iu referuar konceptit teologjik mesjetar ordo amoris, i cili sipas interpretimit të tij përcakton një hierarki dashurie – duke filluar nga familja, tek komuniteti dhe kombi, e më pas ndaj të tjerëve. Papa në letrën e tij e hodhi poshtë këtë interpretim, duke theksuar se dashuria e krishterë nuk është “rreth vlerash që zgjerohet me rrathë të koncentruar”, por është universale dhe gjithëpërfshirëse.

Kategoritë
BotaLajme