Takimi mes babait të Messit dhe presidentit të Barcelonës është zhvilluar në fshehtësi të plotë

Barcelona po përpiqet në çdo mënyrë të rikthejë Lionel Messin në Camp Nou dhe presidenti i klubit Joan Laporta bëri një lëvizje që shumë e konsiderojnë kyç për finalizimin e transferimit.

Laporta u takua me babain e Messit, Jorge, i cili është edhe menaxheri i tij.

Takimi ka ndodhur në muajin mars dhe vetëm tani ka dalë në publik. Megjithatë, kampi i Barçës njoftoi më parë se “janë vendosur kontakte” me Messin dhe mediat spanjolle e lidhin pikërisht atë takim mes babait të Messit dhe Laportes me njoftimin e klubit.

Duke qenë se zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafael Yuste, është shprehur i kënaqur me kontaktet e para me Messin, mediat spanjolle pohojnë se biseda mes Jorge Messit dhe Joan Laporta ka qenë produktive dhe se Lionel është afër rikthimit në klub.

Messi ka kontratë me PSG-në deri në fund të këtij sezoni dhe duke qenë se ende nuk e ka zgjatur, nuk ka gjasa të pranojë një ofertë të re nga parisienët. Messi ka edhe një ofertë nga Arabia Saudite me vlerë 400 milionë euro në vit në tavolinë, por në moshën 35-vjeçare beson se mund të luajë ende në Evropë, ndryshe nga rivali i tij më i madh, Cristiano Ronaldo.

E vetmja pengesë e transferimit është se Barcelona është në probleme financiare, të njëjtat që bënë që Messi të largohet nga Camp Nou dhe të shkojë në klubin parisien gati dy vjet më parë. Por drejtuesit e Barçës po punojnë në mënyrë aktive për t’i zgjidhur këto probleme në mënyrë që Messi të mund të udhëheqë sërish ekipin katalanas me shiritin e kapitenit.

Kategoritë
Sport