Tanket e “pensionuara” të Belgjikës kthehen në qendër të vëmendjes për t’i dërguar në Ukrainë

Zyrtarët belgë po shqyrtojnë planet për t’i blerë tanket përsëri nga kompania, me një “çmim të arsyeshëm” që më pas t’i dërgojnë ato në Ukrainë

Tanket e prodhimit gjerman ‘Leopard 1’, të cilat u hoqën nga inventari i ushtrisë blege vite më parë dhe iu shitën një kompanie të industrisë së mbrojtjes, janë rikthyer në agjendën e qeverisë belge me synimin për t’i dërguar në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Zyrtarët belgë po shqyrtojnë planet për t’i blerë tanket përsëri nga kompania, me një “çmim të arsyeshëm” që më pas t’i dërgojnë ato në Ukrainë.

Rreth një dekadë më parë, ushtria belge vendosi të mos i përdorë më tanket e rënda duke i larguar modelet ‘Leopard 1’ pasi ato “nuk ishin funksionale”, vendim pas të cilit tanket u transferuan në kompaninë belge të industrisë së mbrojtjes, e njohur si ‘OIP Land Systems’.

Vendet perëndimore shtuan ndihmën e tyre për Ukrainën kur shpërtheu lufta me Rusinë më 24 shkurt të vitit 2022, ku shumë prej tyre së fundmi u zotuan të dërgojnë dhjetëra tanke luftarake në Ukrainë.

Qeveria belge planifikon të bëjë të njëjtën gjë, por fillimisht duhet të blejë tanket ‘Leopard 1’ që aktualisht janë në pronësi të kompanisë ‘OIP Land Systems’.

Ministrja belge e Mbrojtjes, Ludivine Dedonder, tha për transmetuesin ‘Bel-RTL’ se kompania i ka blerë tanket disa vite më parë me një çmim prej rreth 10-15 mijë euro për një tank. Ajo shtoi se aktualisht kompania dëshiron t’i shesë ato me “fitime të tepruara”.

Dedonder tha se nuk ka “asgjë që pengon për t’i kthyer” tanket, por shtoi se ata tani më nuk janë në gjendje pune.

“Kompania nuk është në gjendje të përpiqet t’i shesë ato me çmime të paarsyeshme”, tha ajo.

Duke sfiduar komentet e ministres, shefi ekzekutiv i kompanisë ‘OIP Land Systems’, Freddy Versluys, tha për Anadolu se ai u portretizua gabimisht si një “tregtar lakmitar armësh”.

Versluys konfirmoi se kompania e tij ishte aktualisht në bisedime me qeverinë, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ai tha se mirëmbajtja e tyre kushtonte 2,5 milionë euro në vit dhe shtoi se nevojiten para të tjera për të modernizuar tanket.

“Të gjitha këto erdhën me kosto të lartë”, tha ajo.

Duke theksuar se rreth 400 automjete ushtarake, disa prej të cilave ishin tanke të rënda, kanë pritur për vite në depo, Versluys tha se kompania mund të ri-operonte gjysmën e tyre për t’u “përdorur në luftime në Ukrainë”.

Versluys gjithashtu theksoi nevojën për leje eksporti dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të përgatitur shpejt tanket për dërgesë pasi kompanisë së tij i mungonte ai nivel kapaciteti industrial.

Kategoritë
BotaLajme