Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna komentoi zhvillimet e fundit në sferën ekonomike, tarifat Trump që pritet të ndryshojë rrjedhën e prodhimit dhe konsumit global. Rafuna u shpreh se në vitin 2022 u has piku më i madh i eksporteve të Kosovës drejt SHBA, ndërkohë që me tarifat e reja do të preket edhe ekonomia kosovare dhe pritet që të ketë ulje prodhimi.
“Dhe Kosovës i është vendos një tarifë doganore prej 10 për qind, do të ketë ndikim sepse produktet do të dalin më të shtrenjta. Do të vendosi në një pozitë të pafavorshme dhe mund të ketë dhe rënie të kërkesës për produkte të Kosovës dhe rrjedhimisht ulje prodhimi. Kosova nuk ka pasur ndonjë eksport shumë të madh, piku i eksporteve ka qenë në 2022 rreth 136 milionë euro, ndërsa vjet ra rreth në 40 milionë. Me këtët tarifë do të bjeri në minimumin e mundshëm.
Është mirë të merret një hap i tillë për heqjen e taksave për mallrat e importuar, por duhet të shfrytëzohet momenti që Kosova të thithi investime amerikane.”
Më tej Rafuna komentoi taksat Trump lidhur me vendet e tjera të rajonit ku tha se shifrat janë vendosur në bazë të deficitit tregtar dhe jo në bazë të kombit.
“Besoj se ka shumë kompani të huaja në Serbi dhe ato që kanë prodhuar kanë eksportuar aty, ndërsa produktet amerikane kanë qenë më të pak të ekspozuara në Serbi ndaj kanë tarifë më të madhe. Nuk është marrë për bazë kombi, por është marrë për bazë deficiti tregtar.”
/ abcnews.al