Të ardhurat e Egjiptit nga Kanali i Suezit arrijnë rekord të të gjitha kohërave

Rabie tha se 22.032 anije kaluan kanalin vitin e kaluar, nga 19.047 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 15,7 për qind

Të ardhurat e Egjiptit nga Kanali i Suezit kanë arritur një nivel më të lartë të të gjitha kohërave, duke regjistruar 7 miliardë dollarë në vitin e fundit fiskal, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osama Rabie, kryetar i Autoritetit të Kanalit të Suezit, njoftoi se të ardhurat e rrugës ujore ndërkombëtare u rritën për 20,7 për qind, respektivisht nga 5.8 miliardë dollarë në vitin fiskal 2020-2021 në 7 miliardë dollarë.

Rabie tha se 22.032 anije kaluan kanalin vitin e kaluar, nga 19.047 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 15,7 për qind. Përmes kësaj rruge ujore vitin e fundit u transportuan rreth 1.32 miliardë tonë mallra.

Viti fiskal përfundon në Egjipt në muajin qershor.

Kanali i Suezit është një rrugë ujore strategjike që lidh Mesdheun me Detin e Kuq dhe konsiderohet burim kryesor i valutës së huaj për qeverinë egjiptiane.

Kategoritë
BotaLajme