Të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares u refuzohet kërkesa për hudhje poshtë aktakuzës, iu vazhdohet paraburgimi

11-vjeçarja, ishte viktimë e dhunimit dy herë brenda pak muajsh, nga 12 persona, por që të njëjtit u vunë në pranga, pas raportimit të dytë në gusht të vitit të kaluar.

Të dyshuarve u është refuzuar kërkesa për hedhje poshtë të aktakuzës për dhunim dhe të njëjtëve iu është vazhduar paraburgimi.

Kështu është bërë e ditur në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Refuzohen kërkesat e mbrojtëse të të pandehurve për kundërshtimin e provave dhe për hedhjen e Aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për të mitur, ndaj të pandehurve për veprat penale – Dhunimi, Shërbimet seksuale të viktimës të trafikimit, Veprimi kriminal në formë të bashkëpunimit të kryerjes së veprës penale…”, thuhet në aktvendim.

Edhe një raport tjetër i Avokatit të Popullit, ka shpërfaqur dështimet e institucioneve për të mbrojtur viktimat e dhunës.

Në raportin, e këtij Institucioni, është trajtuar rasti i dhunimit të 11- vjeçares, të ndodhur në qershor e në gusht të vitit të kaluar, ku edhe është konstatuar se ka pasur shkelje të të drejtave të fëmijëve, dhe dështim të institucioneve që kanë trajtuar rastin.

Aty thuhet, se përkundër që Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Policia e Mbrojtësit e viktimave, ishin në dijeni për rrezikun që i kanosej fëmija, sepse e njëjta e kishte paraqitur rastin në institucione, ata dështuan të ndërmerrnin masat e nevojshme për ta mbrojtur atë.

“Avokati i Popullit pas rishikimit të legjislacionit përkatës vendor dhe ndërkombëtar, të dokumentacionit të çështjes, të informatave dhe të të dhënave të paraqitura nga institucionet përkatëse, konstaton se në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të fëmijëve, përkatësisht shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e fëmijës nga keqtrajtimi dhe trajtimi jonjerëzor, sipas nenit 3 -Ndalimi i torturës, të KEDNJ –së, neneve 19 dhe 34 të KDF-së, nenin 56 të Konventës së Stambollit dhe neneve 5, 11.2. 15 (1.2) dhe 24 të LMF-së, meqë Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Policia dhe Mbrojtësi i Viktimave ishin në dijeni për rrezikun që i kanosej fëmijës dhe kishin dështuar t’i ndërmerrnin të gjitha masat e arsyeshme për ta mbrojtur atë.”

Madje në njërën nga pikat, theksohet se Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, i janë dashur 68 ditë për ekzaminimin dhe tërheqjen e fotove- dëshmive të telefonit të viktimës, e 137 ditë, të bëjë ekzaminimin e ADN-së.

Aty përmendet edhe që Institutit të Mjekësisë Ligjore, i janë dashur rreth 90 ditë që ta dërgojë në prokurori raportin në formë fizike të ekzaminimit.

Kategoritë
LajmeVendi