Muaji i shenjtë i Ramazanit është një periudhë reflektimi, adhurimi dhe sakrifice për besimtarët myslimanë. Megjithatë, për shumë nxënës të shkollave të mesme që ndjekin mësimet në orarin e pasdites, ky muaj ka sjellë një sfidë të veçantë: pamundësinë për të qenë në shtëpi për iftar.
Nxënësit që ndjekin mësimin pasdite shprehin shqetësimin e tyre se nuk mund të prishin agjërimin në kohën e duhur, pasi në orën e iftarit ndodhen ende në shkollë. “Kur vjen koha e iftarit, ne jemi në mes të orëve të mësimit dhe nuk kemi mundësi të ushqehemi siç duhet. Disa prej nesh mbajnë me vete ndonjë hurmë apo ujë, por kjo nuk është zgjidhje e përshtatshme,” thotë një nxënës i shkollës së mesme në Prizren.
Prindërit dhe disa mësimdhënës gjithashtu janë shprehur se duhet të shqyrtohet mundësia e një riorganizimi të përkohshëm të orarit gjatë Ramazanit. Ata sugjerojnë që ose të ndryshohet ora e mësimit për këto javë, ose të bëhet një pauzë e shkurtër për t’iu mundësuar nxënësve që të ushqehen.
Zyrtarët arsimorë ende nuk kanë dhënë një deklaratë të qartë për këtë çështje, por nxënësit shpresojnë që të ketë një mirëkuptim dhe një zgjidhje të arsyeshme për ta.
A do të ketë ndryshim në orarin shkollor për nxënësit gjatë Ramazanit? Mbetet për t’u parë në ditët në vijim./Gazeta e Re