Fenomeni i çokollatës nga Dubai ka tërhequr vëmendje të madhe gjatë muajve të fundit – aq shumë saqë shumë marka të njohura kanë nisur të prodhojnë versionet e tyre të këtij produkti.
Një trend viral
Trendët shpesh shfaqen dhe zhduken përpara se të kuptojmë se janë bërë pikërisht kjo – trendë. Me rrjetet sociale, duket se ky cikël ndryshimesh është përshpejtuar. Megjithatë, një trend është këtu për një kohë më të gjatë, të paktën kështu duket. Bëhet fjalë për çokollatën, dhe jo për një çokollatë të zakonshme, por për çokollatën nga Dubai.
Ndonjëherë, trendët përqendrohen rreth një ngjyre që dominon gjithandej, siç është rasti me ngjyrën bordo në rrethet e modës këtë vjeshtë. Në mënyrë të ngjashme, popullariteti në rritje i atleteve Adidas Samba mund të përmendet si një shembull tipik i trendëve të rëndësishëm kohët e fundit.
Ndërsa këto lloje trendësh, të lidhura ngushtë me modën e shpejtë, zakonisht zgjasin një sezon ose disa muaj, një trend i veçantë që ka tejkaluar shumicën e trendëve të ngjashëm kohët e fundit lidhet me ushqimin, konkretisht çokollatën.
Seritë e videove në rrjetet sociale, radhët përpara pastiçerive dhe përpjekjet për t’i përgatitur vetë në shtëpi janë disa nga “pasojat” e këtij trendi të ëmbël. Çokollata nga Dubai ka pushtuar botën, dhe si mund të mos ndodhë kjo kur është kombinimi perfekt i çokollatës, fistikëve dhe përbërësve të tjerë shtesë.
Një video ASMR tashmë e njohur në TikTok, e influencueses ushqimore Marie Vehere, ku ajo ha çokollatën në makinën e saj, është parë gati 100 milionë herë, dhe qindra njerëz që nga ajo kohë kanë realizuar videot e tyre duke provuar çokollatën ose kanë bërë udhëzime për receta për ta përsëritur në shtëpi.
@mariavehera257 @fixdessertchocolatier WOW, JUST WOW!!! Can’t explain how good these are! When a chocolate, a dessert and a piece of art meet this is what you get! 🍫 “Can’t Get Knafeh of it,” “Mind Your Own Busicoff,” and “Crazy Over Caramel.” Order on Instagram Chatfood or Deliveroo and let me know what’s your FIX? Instagram : fixdessertchocolatier #asmr #foodsounds #dubai #dubaidessert
Si lindi çokollata nga Dubai?
Sarah Hamouda, 38 vjeç, e cila jeton në Dubai prej nëntë vitesh, nisi markën në vitin 2021 si një biznes të dytë. E frymëzuar nga dëshirat gjatë shtatzënisë, kjo sipërmarrëse britaniko-egjiptiane vendosi të krijojë diçka më shumë se një “ëmbëlsirë tipike çokollate”.
“Zhurma rreth markës është e pabesueshme,” tha Hamouda, duke shtuar se porositë ditore për dyqanin e saj Fix Dessert Chocolatier u rritën nga shifra njëshifrore në 500.
“Për të qenë e sinqertë, asnjëherë nuk e kam menduar se kjo do të bëhej globale,” tha ajo për CNN, duke shtuar se ka marrë mesazhe dhe video-reaksione nga njerëz nga Kanadaja deri në Argjentinë dhe Rumani. “Është e pabesueshme ajo që po ndodh,” shtoi ajo.
Duke qenë se çokollatat janë të bëra me dorë – përfshirë dizajnet me ngjyra të pikturuara mbi to – ka një kufizim se sa shumë mund të prodhojë ekipi.
“Për mua është shumë e rëndësishme të ruajmë cilësinë dhe përbërësit e produkteve tona,” thotë Hamouda, duke shtuar se sekreti i çokollatave të saj qëndron te kallëpet speciale që përdor për të formuar çokollatat dhe për të paketuar mbushjet.
Një pjesë e tërheqjes së këtyre ëmbëlsirave janë emrat krijues që ka shpikur bashkëshorti i Hamoudës, si dhe shijet unike të frymëzuara nga Lindja e Mesme, si hurmat, çaji karak chai (një përzierje e erëzave) dhe kanafa, një ëmbëlsirë tradicionale arabe me petë të bluara, fistikë, krem të ëmbël dhe shurup.
Popullsia ndërkombëtare e Dubait, e përbërë kryesisht nga të huaj, ka frymëzuar gjithashtu disa nga shijet, si “Mind your own Buiscoff,” çokollatë e bardhë me krem krokant Lotus, apo “Cereously Chewsy,” çokollatë me qumësht e mbushur me Nutella brownie fudge, krem dhe drithëra.
Që kur videoja u bë virale në shkurt të këtij viti, kompania është zgjeruar. Nga Hamouda dhe bashkëshorti i saj, të cilët punonin nga shtëpia, deri te një ekip prej dhjetë vetësh në një kuzhinë me qira.
Cokollatat prej 200 g, të cilat kushtojnë 20 dollarë për copë, janë të disponueshme vetëm përmes Deliveroo, dhe shiten çdo ditë në orën 17:00. Me një kufizim prej 500 porosish në ditë, Hamouda thotë se zakonisht shiten brenda pak minutash.
Megjithëse kjo mund të jetë një problem për t’u admiruar, Hamouda thotë se ka pasur edhe reagime negative në internet, me blerës që ankohen për mungesën e çokollatave dhe kritikojnë popullaritetin e tyre duke e diskredituar si një truk marketingu.