Të paktën 4 të vdekur dhe 8 të plagosur nga sulmet ruse në Donetsk

Lufta Rusi-Ukrainë, tashmë në muajin e saj të 14-të, ka lënë të vdekur 8.791 civilë, ndërsa janë plagosur 14.815, sipas shifrave të fundit të OKB-së

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe tetë janë plagosur nga sulmet ruse në vendbanime të ndryshme në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, transmeton Anadolu.

“Rusët bombarduan Toretskun. Si pasojë e një sulmi me raketa në territorin e një shtëpie, ka viktima – dihet për 6 persona. Mjekët po ofrojnë gjithë ndihmën e nevojshme”, tha në Telegram Andriy Yermak, kreu i Zyrës Presidenciale të Ukrainës.

Më herët gjatë ditës, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha në një deklaratë se një grua e plagosur për shkak të një sulmi me raketa në qytetin Sloviansk ka vdekur në spital.

“Mëngjesin e sotëm, si pasojë e goditjes me raketa në qytet, ka rënë zjarr në një garazh dhe një makinë në territorin e një shtëpie private. Ekipet e shpëtimit kanë shuar zjarrin në një sipërfaqe totale prej 20 metrash katrorë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu thuhet se dy ndërtesa të larta, pesë ndërtesa private banimi dhe automjete civile u dëmtuan gjithashtu në qytet, dhe se 11 shpëtimtarë dhe tri njësi me pajisje shkuan në vendin e ngjarjes për të eliminuar pasojat e sulmeve.

Paralelisht, Guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, tha në Telegram se tre persona u vranë dhe dy u plagosën ditën e kaluar për shkak të sulmeve ruse.

Lufta Rusi-Ukrainë, tashmë në muajin e saj të 14-të, ka lënë të vdekur 8.791 civilë, ndërsa janë plagosur 14.815, sipas shifrave të fundit të OKB-së

Kategoritë
BotaLajme