Të palëkundur SBAShK-u, i përgjigjen Nagavcit: Orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nxjerri vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në këtë vendim, ajo ka publikuar edhe datat se kur do të ndodhë zëvendësimi i tyre, ku deri në fund të janarit, në disave prej të shtunave, do të bëhet kompensimi i orëve të humbura.

Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga SBAShK-u, të cilët thonë se ky vendim është kundër kontratës kolektive.

Bardh Bardhi, anëtar i Kryesisë së SBAShK-ut, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net tha se i qëndrojnë vendimit për mos zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

“Ky udhëzim është kundër kontratës kolektive, orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen”, tha Bardhi.

Ai gjithashtu tha se ato orë humbën për shkak se Qeveria nuk plotësoi kushtet e tyre.

“Ato orë humbën për shkak se Qeveria nuk i plotësoi kushtet, edhe ato orë të humbura duhet të vendosohen në pushime pranverore, për këtë edhe prindërit janë shprehur kundër”, shtoi Bardhi për Reporteri.net.“Ministrja ka dalë kundër homologut të saj, Ramë Likaj, kundër kontratës së nënshkruar nga Ramë Likaj”, përfundoi anëtari i Kryesisë së SBAShK-ut, Bardh Bardhi./Reporteri.net

Kategoritë
LajmeVendi