Në qytetin gjerman Bad Nauheim, afër Frankfurtit, ka ndodhur një të shtënë herët në mëngjesin e sotëm, ku janë vrarë dy persona. Policia lokale është ende në kërkim të sulmuesit, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur më shumë se një autor.
Sipas raportimit të Bild, të shtënat ndodhën rreth orës 5:40 të mëngjesit në një qytet me rreth 33 mijë banorë.
Policia ka mbyllur menjëherë atë pjesë të qytetit dhe ka ngritur në ajër një helikopter për të kërkuar një ose më shumë sulmues.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy trupa pa jetë me plagë nga armët e zjarrit, por identiteti i tyre ende nuk është zbuluar.
“Hetimet janë në zhvillim. Aktualisht është e pamundur të parashikohet rezultati apo përfundimi i tyre,” tha për Bild policia lokale.
Po ashtu, policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos marrin autostopistë, por theksoi se nuk ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për vetë qytetin dhe se lëvizja është e sigurt.
Ngjarja ndodhi para një ndërtese banimi, dhe ende nuk ka informacione konkrete për autorët apo motivin pas kësaj të shtënë.