Teknologjia po manipulon shahun? Kampion i botës Magnus Carlsen “zbulon” skandalin

Tërheqja e kampionit të botës në shah, Magnus Carlsen nga përballja me të riun amerikan Hans Niemann në turneun “Sinquefield Cup” ka krijuar një kaos të pashpjegueshëm në lojën sportive të trurit.

Norvegjezi që u ndesh me 19-vjeçarin amerikan u mund në lojën e parë dhe më pas edhe pse kishte mundësinë për ta kthyer në favor ndeshjen, e braktisi turneun në mënyrë të pakuptueshme dhe në një intervistë theksoi shprehjen e Jose Mourinhos, sipas të cilit, nëse do të fliste, do të gjendej në telashe të mëdha.

Tërheqje e pakuptueshme nga ana e shahistit më të mirë të momentit, i cili ka lënë të kuptohet se në lojën e Niemann ka pasur mashtrim nga ana e të riut amerikan por pa dhënë prova për një gjë të tillë. Në fakt, Niemann e ka pranuar se në moshën 12 dhe 16 vjeçare ka mashtruar me ndeshjet online, por asnjëherë nuk ka pranuar se e ka bërë një gjë të tillë në përballjet fizike.

Ai ka akuzuar kampionin e botës se synon t’i shkatërroijë karrierën. “Nëse do që unë të shkoj lakuriq në një përballje, do të shkoj”, ka theksuar Niemann, duke hedhur poshtë çdo akuzë të Carlsen.

Sipas specialistëve, mbajtja e një celulari me vete ku loja fizike lidhet me një aplikacion që studion lëvizjet, mund ta bëjë më të lehtë mashtrimin, ndërsa mashtrimi në lojërat e shahut nëpërmjet teknologjisë, sipas shumë prej shahistëve me famë botërore, është bërë një problem i madh kohët e fundit.

Kategoritë
Sport