Hezbollah njoftoi se për herë të parë ka goditur bazën detare izraelite në Ashdod, në jug të vendit, si dhe ka kryer një sulm ndaj një objektivi ushtarak në Tel Aviv duke përdorur të ashtuquajturat raketa të avancuara.
Shërbimi emergjent izraelit raportoi se tre persona u plagosën në Petah Tikva, në lindje të Tel Avivit, pas sulmeve me raketa nga Libani.
Ushtria izraelite nuk e komentoi menjëherë sulmin, por më herët kishte raportuar për sirena alarmi në pjesët qendrore dhe veriore të vendit. Ushtria ka interceptuar disa nga rreth 55 raketat e lëshuara drejt veriut të Izraelit.
Këto sulme pasuan një sulm izraelit një ditë më parë në qendër të Bejrutit, ku u vranë të paktën 20 persona dhe u plagosën 66 të tjerë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit. Kryeministri në detyrë, Najib Mikati, e dënoi sulmin izraelit si një goditje ndaj përpjekjeve për armëpushim, duke e quajtur atë një “mesazh të përgjakur” kundër iniciativave diplomatike.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila parashikon tërheqjen e forcave izraelite dhe ato të Hezbollahut nga jugu i Libanit. BE-ja është e gatshme të ndajë 200 milionë euro për të mbështetur ushtrinë libaneze që të marrë kontrollin e zonës, me praninë e forcave paqeruajtëse të OKB-së.
Ushtria libaneze njoftoi se një ushtar u vra dhe 18 u plagosën nga një sulm izraelit në jug të Libanit. Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Liban, mbi 40 ushtarë libanezë kanë humbur jetën.
Sipas autoriteteve libaneze, sulmet izraelite deri më tani kanë vrarë mbi 3,500 persona dhe kanë zhvendosur rreth 1.2 milionë banorë. Në anën izraelite, janë vrarë 90 ushtarë dhe 50 civilë, ndërsa 60,000 izraelitë kanë braktisur veriun e vendit që nga tetori i vitit 2023.