Televizioni finlandez ka publikuar një video të re dhe deri më tani të pa parë të përpjekjes për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.
Shërbimi publik finlandez Yle ka prodhuar një dokumentar 50-minutësh për Sllovakinë dhe brenda tij ka publikuar pamjet e atentatit që ndodhi në maj të vitit 2024.
Pamjet tregojnë të gjithë rrjedhën e incidentit më serioz të sigurisë në historinë e Sllovakisë – se si sulmuesi hapi zjarr ndaj kryeministrit, deri në momentin kur u mbyllën dyert e limuzinës në të cilën truprojat e futën politikanin e plagosur.
Në dokumentar nuk shfaqet vetëm momenti kur Fico bie në tokë pas të shtënave, kur truprojat e ngrejnë nga toka duke e kapur nën sqetulla, por edhe reagimi i tij menjëherë pas sulmit me armë.
Këtë video e ka regjistruar rastësisht televizioni lokal sllovak Privigye. Kameramanët dhe gazetarja ndodheshin aty pranë dhe po xhironin pamje për një edicion lajmesh që do të transmetohej më vonë.
Megjithatë, pikërisht në atë moment, sulmuesi qëlloi ndaj kryeministrit të Sllovakisë, dhe gazetarët ia dorëzuan pamjet hetuesve dhe gjithashtu televizionit finlandez që realizoi dokumentarin.
“E mora parasysh se kjo nuk do të jetë një raportim lajmesh, por një dokumentar që do të paraqesë situatën. I thashë vetes se kishte kaluar mjaft kohë. Kryeministri ishte gjallë dhe relativisht mirë”, shpjegoi Dana Reindlova, drejtoresha e televizionit rajonal Privigye, e cila si reportere ishte dëshmitare e atentatit.