Tenderi milionësh i KEK’ut me negocim, që e çoi në burg Nagip Krasniqin

Kryeshefi i KEK’ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar dje, me urdhër të Prokurorisë Speciale, si i dyshuar për tri vepra penale. Saktësisht, ai dyshohet për keqpërdorime në një tender 3.4 milionësh, për disa punë në bllokun A5 të Termocentralit Kosova A, që është veç një prej tenderëve që janë dhënë me procedurë të negociuar. Ky bllok është jashtë funksionit qe nëntë muaj dhe disa herë janë ngritur dyshime se s’po kthehet në funksion qëllimisht për t’u mundësuar blerja e rrymës prej kompanisë ku operonte Martin Berishaj.

Aksioni i djeshëm i Policisë së Kosovës që filloi me bastisje në Korporatën Energjetike të Kosovës, përfundoi me arrestimin e Kryeshefit të kësaj ndërmarrje publike, Nagip Krasniqit. Aksioni u realizua me urdhër të Prokurorisë Speciale, që udhëhiqet nga Blerim Isufaj.

Krasniqi u arrestua nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale: keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit si dhe konflikti i interesit.

Krasniqi dyshohet për keqpërdorime për një tender në vlerë 3.4 milionë euro, për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5 të Termocentralit Kosova A.

Kontrata për këtë tender që është ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.

Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litwin SA; Bujar B. Shala B.I”.

“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.

Blloku u la qe nëntë muaj jashtë funksioni, opozita e lidhi me Martin Berishajn

Blloku A-5 i Termocentralit Kosova A, është jashtë funksionit qe mbi nëntë muaj.

Remonti i kësaj njësie ishte zvarritur muaj me radhë, nën arsyetimin se s’po gjendet kompani e përgjegjshme.

“Ka 2-3 muaj që po kemi telash me e gjet një kompani të përgjegjshme, e cila e rehabiliton A5shin. Nuk ka. Tash kanë ardh disa oferta, jemi në process të trajtimit. Shumica e tyre të papërgjegjshme, jo serioze, sepse thjeshtë ka pak gatishmëri të kompanive me renome të vazhdojnë të merren me renovim të kapaciteteve të vjetra me qymyr. Nuk po aplikojnë, sepse kanë marrë udhëzime me shku me u marr me energji të ripërtëritshme, kapacitetet e tyre me u marr me energji të ripërtëritshme. Nuk është tu punu fare A5’shi, aty është problemi. Pa u kry renovimi…”, kishte deklaruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një debat televiziv.

Për këtë bllok janë ngritur disa herë dyshime se po lihet jashtë funksionit qëllimisht.

Para një jave, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ngriti dyshime se ky bllok është lënë qëllimisht jashtë funksionit, për të përftituar “mafia energjetike në krye me Martin Berishajn”.

Azemi tha se po të mos ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, s’do të kishte nevojë që energjia elektrike të shtrenjtohej për rreth 15 përqind.

“Nëse nuk do të ishte zvarritur remonti i këtij blloku e do të ishte menaxhuar si duhet, nuk do të kishte pasë nevojë për këtë ngritje të çmimit prej 15%. E krejt kjo situatë e krijuar me mungesën e vullnetit për të investuar në kapacitete të prodhimit duket të jetë e qëllimshme dhe mund ti konvenojë vetëm mafisë energjetike ne krye me Martin Berishaj, për tu shndërruar në bankomat për Kryeministrin!”, shkroi Azemi.

Dyshimet e ngritura nga Azemi i mbrojti dje edhe Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se ishte interes i mafisë energjetike që ky bllok të mos prodhonte rrymë.

“Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milionë euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë deklaruar para një jave se blloku pritet të kthehet në funksion në fund të këtij muaji.

“Bazuar në BVEE 2023, njësia A5 e propozuar me dt. 30.03.2023, me rekomandim TCA do të rikthehet në operim me dt. 28.04.2023 (kjo për arsye të punëve shtesë në rotorin e gjeneratorit)”, ka deklaruar zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli.

U thirrën edhe ekspertë gjermanë për këtë bllok

Për të zgjidhur problemet me këtë njësi, KEK kishte angazhuar ekspertë gjermanë.

“Angazhimi i eksperteve për dhënien e rekomandimeve për aftësimin e bllokut A5”, ishte titulli i kontratës që i është dhënë kompanisë gjermane “DSD Power Technologies GmbH”, përmes procedurës së negociuar.

Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-Prokurim, ekspertët gjermanë do të paguheshin gati 53 mijë euro për dhënien e këtyre rekomandimeve, çmim ky që ishte llogaritur pa TVSH (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar).

Tenderët tjerë milionësh që u dhanë me procedurë të negociuar

Tenderi për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5, s’është i vetmi tender që është dhënë më procedurë të negociuar.

Një i tillë, madje në vlerë shumëfish më të madhe, është dhënë edhe për modernizimin e dy turbinave të Termocentralit Kosova B.

Kontrata në vlerë mbi 56 milionë euro, i është dhënë kompanisë “GE STEAM POËER SERVICE FRANCE REPRESENTATIVE OFFICE IN KOSOVO”, përmes procedurës së negociuar.

Bazuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës të publikuar në e-prokurim, puna për modernizimin e këtyre dy turbinave do të fillojë më 30 dhjetor të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 31 tetor të vitit 2025.

Marrëveshja me kompaninë amerikane është nënshkruar zyrtarisht më 7 prill.

Kryeministri Albin Kurti e kishte cilësuar këtë marrëveshje si një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë.

Me procedurë të negociuar është dhënë edhe tenderi për prodhimi, liferimin dhe implementimin e materialit shtesë dhe EXTRA shtesë në lidhje me dilatimet e kaldajës B1 dhe B2.

Vlera e kësaj kontrate ishte 2 milionë e 238 mijë e 904 euro dhe i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “SBB Energy S.A, Intering SH.P.K”.

Kategoritë
LajmeVendi