“Tension për Asociacion” – PSD e bindur se Kurti nxiti tensionet në veri për të arsyetuar formimin e Asociacionit

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik pranë ndërtesës së Qeverisë në lidhje me situatën në veri dhe procesin e dialogut, raporton Ekonomia Online.

Ata në ndërtesën e Qeverisë dhe atë të Kuvendit kanë shkruar parullat “Tension për Asociacion” dhe “Tension për koncesion”.

PSD beson se shtyrja e zgjedhjeve dhe gjithë ky tensionim i shërben kryeministrit Albin Kurti, për ta arsyetuar formimin e Zajednicës.

Zgjim Hyseni nga kjo parti para medieve tha se gjatë kohës sa kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, fliste në Prishtinë para medieve për shtyrjen e zgjedhjeve, në veri u plagos polici Ekrem Neziri.

“Si matet suksesi i ndërhyrjes policore? Me elektrizim të situatës, me likes dhe me sharje në Facebook, apo me përmbajtje më të mirë në marrëveshjet e arritura”.

“Me 21 nëntor rreth çështjes së targave tensioni tejkaloi kufijtë deri në eskalim. Polici, heronj, sovranitet – dokrra. Me 23 kemi nënshkruar marrëveshje edhe më të dobët sesa ajo e para 2 ditëve. Pas gjithë atij tensioni, në marrëveshjen që nënshkroi Bislimi, e pranuam shtyrjen pa afat të targave, por edhe Asociacionin”.

“E njëjta gjë ndodhi me zgjedhjet në Veri. Konjufca në Prishtinë fliste për shtyrjen e zgjedhjeve, ndërkohë në Veri me armë zjarri u plagos polici Ekrem Neziri. Nëse zgjedhjet u shtyn, kujt i shërbeu tensionimi. Kryeministrit sigurisht” tha ai.

“Tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut. Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam”.

“Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në Veri e kanë pasur edhe një efekt. Nëse Veriun e vendit e trajton vetëm me hekur dhe kërbaç, ky është argument për formimin e Asociacionin. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare më Serbinë. Tensionet në Veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”, tha ai.

Gjatë këtij aksioni pati një përplasje ndërmjet aktivistëve dhe policisë.

Kategoritë
LajmeVendi