Tensione dhe debate në seancën e Kuvendit të Shqipërisë

Deputetët e opozitës kundërshtuan delegimin e interpelancës me kryeministrin Edi Rama tek ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, Elisa Spiropali, duke bllokuar në disa raste foltoren e Kuvendit.

Seanca e sotme parlamentare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe debate mes deputetëve të shumicës dhe opozitës, për shkak të mungesës në seancë të kryeministrit Edi Rama për interpelancën ndaj tij, raporton Anadolu.

Një grup deputetësh të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), kishin kërkuar interpelancë me Kryeministrin Rama, mbi çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili aktualisht është nën hetim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deputetët e opozitës e akuzojnë kryeministrin Rama për lidhje dhe korrupsion me ish-agjentin e FBI-së.

Deputetët e opozitës kundërshtuan delegimin e interpelancës tek ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë, Elisa Spiropali, duke bllokuar në disa raste foltoren e Kuvendit.

Gjatë fjalës së saj në seancë, Spiropali tha se e rëndësishme është që në Kuvend të flasin të vërteta dhe shtoi se akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Rama janë për konsum politik.

“Ne nuk mund të lejojmë që ju të ngrini një shtjellë të tërë gënjeshtrash, mashtrimesh, trillimesh dhe të pretendoni që ne këtu në Kuvendin e Shqipërisë në këtë foltore, të mos iu japim përgjigje një më një. Duhet të kuptoni që nuk mund të vini këtu dhe të hidhni akuza penale, akuza që nuk ekzistojnë në asnjë dosje, as për kryeministrin e vendit, as për asnjë shtetas tjetër të Republikës së Shqipërisë. Nuk e kuptoni që po kërkoni hesap për një çështje të paqenë, që nuk ekziston në asnjë dosje dhe në asnjë aktakuzë”, tha Spiropali.

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se kryeministri Rama duhet të vijë me urgjencë në seancë. “Nuk mund të kalojë vetëm me një interpelancë. Unë besoj te sinqeriteti i kolegëve të mi, e di shqetësimin e tyre. Ne kërkojmë me insistim që mocioni me debat të nisë menjëherë me praninë e kryeministrit”, tha Boçi.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, përjashtoi nga seanca e sotme deputetin e PD-së, Gazment Bardhi, pasi iu tërhoq vëmendja për fyerje gjatë tensioneve në Kuvend.

Në mes tensioneve dhe debateve, Kuvendi miratoi disa projektligje. Mes tyre u miratuan edhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës”.

Reagon kryeministri Rama

Në lidhje me zhvillimet në Kuvend dhe debatet mbi çështjen në fjalë ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili në rrjetet sociale shkruan se “Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral”.

Rama thekson se me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit, sipas tij, “me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”.

“Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI-së të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim. Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA-në dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”, shkruan Rama.

Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, aktualisht është nën hetim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për akuzat për fshehje të të ardhurave, deklarime të rreme dhe falsifikim dokumentesh apo të dhënash. Deputetët e opozitës akuzojnë kryeministrin Rama për lidhje me McGonigal dhe kërkojnë shpjegime nga Rama për pretendimet në media të ndryshme për takimet e Ramës me ish-agjentin e FBI-së, sipas tyre nëse kanë qenë takime private apo zyrtare.

Kategoritë
LajmeRajoni