Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët e opozitës djegin jashtë karriget e sallës së seancave

Tensionet nisën që në fillim të seancës plenare, ku deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Shqipërisë, bllokuan foltoren dhe hodhën sende të ndryshme ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga tensionet në seancën e sotme parlamentare, ku deputetët e opozitës pas përplasjeve dhe tensioneve brenda sallës së seancës kanë djegur edhe karriget e tyre në ambientet e jashtme të parlamentit, raporton Anadolu.

Tensionet nisën që në fillim të seancës plenare, ku deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Shqipërisë, bllokuan foltoren, dëmtuan disa nga pajisjet dhe hodhën sende të ndryshme ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Pas tensioneve dhe përplasjeve brenda sallës së seancave plenare që nisën për shkak të çështjes së ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, deputetët opozitare nxorën jashtë disa nga karriget e tyre, duke iu vënë zjarrin.

Pas situatës së krijuar, kryeparlamentarja Spiropali ka ndërprerë seancën në të cilën ishte planifikuar të diskutoj për disa nga çështjet e evidentuara nga qytetarët.

Deputetët e opozitës kishin paralajmëruar bllokimin e seancës parlamentare për shkak të dënimit të deputetit të PD-së, Ervin Salianji, të cilit tashmë iu është ndërprerë mandati për shkak të dënimit.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më 26 shtator 2024 la në fuqi vendimin e dhjetorit 2019 për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji, për veprën penale “kallëzim i rremë”.

PD pretendon se vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë dhe politik.

Salianji është akuzuar nga autoritetet se disa vite më parë ka publikuar një audio-përgjim të rremë në lidhje me trafikun drogës dhe përfshirjen e të afërmeve të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave dhe bllokimin e seancave parlamentare në vazhdim.

– Reagon kryeparlamentarja Spiropali

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar mbi tensonet e fundit në Kuvevend.

Në një reagim të saj në rrjetet sociale, Spiropali shkruan: “Ato karrige janë për t’u respektuar, duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik”.

Kategoritë
LajmeRajoni