Tensionet gjeopolitike rrisin çmimin e naftës

Çmimet e naftës janë rritur mes shqetësimeve për një rënie të mëtejshme të furnizimit me naftë për shkak të tensioneve gjeopolitike të shkaktuara nga kriza Rusi-Ukrainë.

Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare ‘Brent’ u tregtua me 88,59 dollarë për fuçi mëngjesin e sotëm, duke shënuar një rritje prej 0,48 për qind krahasuar me 88,17 dollarë për fuçi në periudhën e mëparshme, raporton atsh.

Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) u tregtua me 87,17 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej 0,65 përqind krahasuar me 86,61 dollarë për fuçi në periudhën e mëparshme.

Çmimet e naftës janë në rritje, kryesisht nga vendimi i prodhuesve kryesorë të naftës për vazhdimin e politikës së tyre të rritjes së kufizuar të prodhimit.

Kriza e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës po ashtu ka rritur shqetësimet për një kompromis në furnizimin me gaz në Evropë në përgjigje të sanksioneve të mundshme kundër Rusisë.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby, në 24 orët e fundit njoftoi një ngritje ushtarake ruse në rajonet afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi.

Ndërkohë, investitorët janë të fokusuar në takimin e planifikuar më 2 shkurt të grupit OPEC dhe aleatëve, OPEC+. Grupi po përpiqet të arrijë kuotën e synuar të prodhimit prej 400 mijë fuçish në ditë.

Ekspertët parashikojnë se në muajin mars, grupi OPEC+ do të qëndrojë besnik ndaj politikës së tij aktuale të prodhimit, megjithëse furnizimi do të vazhdojë të tkurret përballë kërkesës në rritje.

Kategoritë
Ekonomi