Tërheqja e mjeteve Nga Trusti – Opozita sërish i kërkon ekzekutivit të lëviz

Raportimet se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST), është duke pësuar humbje me miliona për shkak se një pjesë e parave janë të investuara në tregje ndërkombëtare dhe ky institucion nuk ka bord funksional për të ndërmarrë diçka, kanë aktivizuar opozitën.

Ata po kërkojnë që Qeveria të lëviz, pra ta rikthejë në Kuvendin e Kosovës projektligjin për tërheqjen e një pjesë të mjeteve të Trustit. E shohin si nevojë të qytetarëve. Iniciativa është rikthyer nga  Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai  i ka thënë Gazetës Express se përsëri kërkojnë që ekzekutivi të reflektojë dhe ta rikthejë çështjen e Trustit në Kuvend.

“Numrat në Kuvend i ka Vetëvendosja dhe ne mund ta rikthejmë në Kuvend edhe 10 herë projektligjin e Trustit, por s’i kemi numrat. Për këtë kërkojmë që Qeveria ta rikthejë këtë çështje”, ka thënë ai.

Sipas Haxhiut, tërheqja e këtyre mjeteve është një nevojë e qytetarëve.

Qeveria e ka mundësinë që ta përmirësojë gabimin të cilin  e bëri duke iu pamundësuar qytetarëve tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit”, ka thënë deputeti opozitar.

Më 20 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës për herë të dytë refuzoi që ta kalojë këtë projektligj, me arsyetimin se “rrezikohet sistemi pensional”.

Por edhe deputeti tjetër opozitar, Besnik Tahiri nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka thënë Gazetës Express se e mbështesin çdo iniciativë që lehtëson jetën e qytetarëve.

“Ne mirëpresim çdo iniciativë për lehtësimin e jetës së qytetarëve”, thotë Tahiri, por shton se “nuk presin na Qeveria të veprojë arsyeshëm”.

E Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Gazetës Express nëse do ta zbatojnë kërkesën opozitare, lëvizjen kah projektligji që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve të trustit.

Projektligji i fundit kishte paraparë që tërheqja e trustit të bëhet varësisht prej kategorisë financiare që i takojnë qytetarët – që nënkuptonte tërheqje prej 10 deri më 30 për qind.

Por deputetët e pushtetit e hodhën poshtë atë projektligj, duke qenë në një mendje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili thoshte se ky projektligj rrezikon sistemin pensional.

Kjo praktikë ishte praktikuar në Kosovë, kur në zyrën e kreut të ekzekutivit ishte Avdullah Hoti. Qytetarët aso kohe kishin tërhequr 10 për qind të mjeteve të Trustit për ta përballuar krizën ekonomike të cilën e kishin shkaktuar masat kufizuese si rrjedh e shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Rrethanat e jashtëzakonshme në tregjet globale së fundmi kanë prekur edhe mjetet e trustit. Opozita thotë se Kosova po humb 500 mijë euro në ditë.

Të premten në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kishte një përplasje në mes të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Muratit me deputetin opozitar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti aludonte te mungesa e bordit për shkaktimin e rrezikut të mjeteve të trustit.

Në këtë linjë është edhe Haxhiu në saje të së cilës thotë se ”paratë duhet të iu jepën qytetarëve sa rrezikohen nëpër tregje ndërkombëtare“.

Kategoritë
LajmeVendi