Tërmet i fuqishëm tronditi provincën veriperëndimore Duzce të Turqisë përfshirë edhe Stambollin

Tërmeti, me qendër në distriktin Golyaka të provincës Duzce, goditi në orën 4:08 të mëngjesit, thotë autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive në Turqi.

Një tërmet i fuqishëm tronditi provincën veriperëndimore Duzce të Turqisë herët të mërkurën, duke lënë gjithsej 35 persona të lënduar në rajon, përfshirë Stambollin, sipas ministrit të shëndetësisë së vendit.

Në një postim në Twitter, Fahrettin Koca tha se gjithsej 32 persona u plagosën në Duzce, ku ndodhej epiqendra e tërmetit, duke shtuar se tre persona u plagosën gjithashtu në provincat Stamboll, Bolu dhe Zonguldak.

Koca ka shtuar se njëri prej të plagosurve në Duzce ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, i cili mbërriti në Duzce menjëherë pas tërmetit, tha se nuk ka viktima.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) tha se një tërmet me magnitudë 5.9 me qendër në rrethin Golyaka goditi në orën 4:08 të mëngjesit (0108 GMT).

Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 6.81 kilometrash (4.2 milje).

Ai është ndjerë gjithashtu në Stamboll dhe provinca të tjera, duke përfshirë veriperëndimin Bolu, Sakarya, Kocaeli, Bursa, Bilecik dhe provincat perëndimore të Izmirit dhe Kutahya dhe kryeqytetin Ankara.

Pas tërmetit, janë regjistruar gjithsej 18 pasgoditje. Ndërprerjet e energjisë elektrike në rajon po vendosen si masë paraprake, njoftoi AFAD.

Guvernatori i Duzçes Cevdet Atay njoftoi se shkollat do të mbyllen të mërkurën për shkak të tërmetit.

Në vitin 1999, provinca e Duzces u godit nga një tërmet me magnitudë 7.2 ballë që zgjati 30 sekonda, duke vrarë 710 njerëz dhe duke plagosur 2679.

Kategoritë
BotaLajme