Tërmet në PSG: Katarët, pas skandalit, kërcënojnë se do të tërheqin paratë e tyre, thonë se po keqtrajtohen

Paris Saint-Germain mund të përjetojë tronditje të mëdha në strukturën e pronësisë, pasi pronarët nga Katari kanë kërcënuar të largohen pas një skandali të madh në të cilin është përfshirë Nasser Al-Khelaifi.

Presidenti i PSG-së do të përballet me ndjekje penale në Francë në kuadër të një hetimi të biznesit, dhe megjithëse kjo çështje nuk ka lidhje direkte me punën e tij në PSG, mund të ketë pasoja për klubin nga “Parc des Princes”.

Hetimi dhe gjyqi lidhen me rolin e Al-Khelaifit si drejtues i fondit shtetëror të Katarit, ku ka dyshime të bazuara se pronari i PSG-së ka qenë i përfshirë në blerjen e votave në bordin drejtues të grupit mediatik Lagardère, një kompani ku një nga degët e fondit katariot ishte aksionare.

Prokurorët francezë dyshojnë se Al-Khelaifi ka ndikuar në ndryshimin e mënyrës së votimit të një prej drejtorëve katariotë në bordin drejtues gjatë një beteje për kontrollin e bordit në vitin 2018.

Në atë kohë, për kreun e bordit po garonin miliarderi Vincent Bolloré, pronar i grupit Vivendi, dhe Bernard Arnault, pronar i grupit LVMH.

Përfaqësuesi i Katarit fillimisht votoi për Bolloré, i cili po përpiqej të merrte kontrollin e grupit kundër pronarit të tij të gjatë, Arnaud Lagardère, por ndryshoi mendim pas një takimi me Al-Khelaifin.

Pavarësisht këtij veprimi, Bolloré në vitin 2023, pas një beteje të vështirë mes aksionarëve, arriti të marrë kontrollin e konsorciumit mediatik Lagardère.

Tani, i gjithë rasti mund të rezultojë me tërheqjen e fondeve të Katarit nga PSG.

Burime pranë qeverisë së Katarit thonë se “u ka ardhur në majë të hundës ky keqtrajtim”.

“Persekutime të rreme, shantazhe, kritika të përditshme, fajësim i të tjerëve për paaftësinë e tyre totale. Të gjitha problemet në Francë i konsiderojnë faji ynë. Ky është keqtrajtim i pastër dhe të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës,” thonë ata.

PSG verën e kaluar humbi yllin e saj më të madh, Kylian Mbappé, i cili kaloi te Real Madrid si lojtar i lirë. Aktualisht, “Shenjtët” janë liderë të Ligue 1 me 53 pikë dhe po ecin drejt një tjetër titulli kampion, ndërsa janë pranë kualifikimit në raundin e 1/8-ës së Ligës së Kampionëve pas fitores 3:0 ndaj Brestit në ndeshjen e parë të play-off-it.

Kategoritë
Sport