Gjithsej rreth 500 mijë tërmete të mëdhenj e të vegjël ndodhin çdo vit në botë, rreth 100 mijë prej tyre ndjehen dhe rreth 100 prej tyre shkaktojnë dëme
Tërmetet ndahen në tre kategori sipas formimit të tyre, tektonik, vullkanik dhe kolapsik, ndërsa lëkundjet tektonike spikasin si lloji më shkatërrues i tërmeteve për nga intensiteti dhe magnituda.
10 tërmetet më të rënda në historinë e botës ndodhën në Amerikën e Jugut dhe vendet e Azisë-Paqësorit. Brezi i tërmeteve të Paqësorit, i quajtur “unaza e zjarrit”, ka dëshmuar 90 për qind të të gjithë tërmeteve në botë dhe rreth 80 për qind të tërmeteve të mëdha.
Brezi Sizmik i Paqësorit është brezi sizmik tektonik më intensiv në botë.
– 230 mijë njerëz humbën jetën në tërmetin më të gjatë
Tërmeti më i gjatë i regjistruar ndonjëherë ndodhi më 26 dhjetor 2004, në Sumatra, Indonezi. 230 mijë persona humbën jetën nga tërmeti 9.1 ballë. Lëkundjet zgjatën nga 8.3 deri në 10 minuta.
Valët gjigante disa metre të larta si pasojë e tërmetit kanë prekur 14 shtete në jug të Azisë dhe në lindje të Afrikës, si dhe Indonezinë. Në fatkeqësinë, e cila konsiderohet si një nga fatkeqësitë natyrore që shkaktoi më shumë vdekje, 1,7 milion njerëz mbetën të pastrehë nga tërmeti dhe cunami.
– Tërmetet në Türkiye
Tërmete shkatërruese ka pasur edhe në Türkiye, e cila ndodhet në brezin Alpino-Himalayan, një nga brezat sizmikë aktivë të botës.
Më e rënda prej tyre ndodhi në Erzincan më 26 dhjetor 1939 ku 33 mijë persona humbën jetën nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë.
Në tërmetin që ndodhi në një thellësi prej 20 kilometrash dhe zgjati për 52 sekonda, u shkatërruan më shumë se 100 mijë ndërtesa, përfshirë ndërtesa publike si shkolla dhe spitale.
Një tjetër tërmet shkatërrues në Türkiye ndodhi më 17 gusht 1999. Tërmeti i Marmarasë me magnitudë 7.4, epiqendra e të cilit është qarku Gölcük në Kocaeli, ndërsa efektet e tij u ndjenë në veriperëndim të vendit, shkaktoi shkatërrime të mëdha veçanërisht në qytetet Istanbul, Kocaeli, Sakarya dhe Yalova.
Mbi 17 mijë persona humbën jetën nga tërmeti, ndërsa 500 mijë persona mbetën të pastrehë.
– Türkiye pësoi fatkeqësinë më të rëndë që nga viti 1939
Dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, të ndodhur më 6 shkurt në Kahramanmaraş, kanë prekur 11 provinca. Sipas përllogaritjeve të fundit kanë humbur jetën mbi 45 mijë persona.
Tërmetet janë ndjerë fuqishëm edhe në Egjipt, Liban, Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), Administratën Greke Qipriote të Qipros Jugore (GCA), Siri dhe Irak.
Pas tërmeteve me qendër Kahramanmaraş, tërmete me magnitudë 6.4 dhe 5.8 kanë ndodhur në Hatay më 20 shkurt. Një pasgoditje me magnitudë 5.6 ka ndodhur gjithashtu më 27 shkurt në Malatya.
Sipas të dhënave të fundit, pas tërmetit kanë ndodhur gjithsej mbi 11 mijë pasgoditje.
Shumë ndërtesa u shkatërruan në qytetet e prekura nga tërmetet të cilat presidenti Recep Tayyip Erdoğan i përshkroi si “katastrofën më të madhe që nga tërmeti i Erzincanit të vitit 1939”.
– Tërmeti dhe cunami në Japoni vrau 19 mijë njerëz
Më 11 mars 2011, një tërmet me magnitudë 9 goditi rajonin Tohoku të Japonisë. Pas tërmetit që krijoi një thyerje 1 kilometër në fundin e oqeanit, në bregdetin verilindor të vendit ka ndodhur një cunami.
Si pasojë e tërmetit dhe cunamit që pasoi, humbën jetën 19 mijë persona. Gjithashtu, një rrjedhje ndodhi në termocentralin bërthamor të Fukushimës.
Tërmeti me magnitudë 7.5 ballë dhe cunami pasues që goditi ishullin Sulawesi të Indonezisë në vitin 2018, hynë në histori si një nga fatkeqësitë më të mëdha të viteve të fundit. Tërmeti dhe cunami shkaktuan vdekjen e më shumë se 4300 njerëzve.
– Tërmete të forta në botë
Tërmeti më i rëndë në historinë e botës ndodhi në Kili më 22 maj 1960. Si pasojë e tërmetit me magnitudë 9.5 ballë i ndjerë në një sipërfaqe prej rreth 1000 kilometrash, 1.655 persona humbën jetën, 3 mijë persona u plagosën dhe 2 milionë njerëz mbetën të pastrehë.
Tërmeti i Alaskës, i cili u regjistrua si tërmeti i dytë më i fortë, ndodhi më 28 mars 1964. Tërmeti me magnitudë 9.2, i cili zgjati tre minuta, gjithashtu shkaktoi cunami. Lëkundjet dhe dallgët e mëdha që pasuan shkaktuan vdekjen e 128 personave duke shkaktuar rreth 310 milionë dollarë dëme materiale.
Tërmeti me magnitudë 9 që goditi Gadishullin Kamçatka në Rusinë lindore më 4 nëntor 1952, është ndër tërmetet më të mëdhenj të regjistruar që nga viti 1900. Dallgët 9 metra të larta, të cilat u krijuan si pasojë e tërmetit që nuk shkaktoi humbje jetësh, arritën deri në Havai.
Më 31 janar 1906, një tërmet me magnitudë 8.8 goditi pranë brigjeve të Ekuadorit dhe Kolumbisë, duke vrarë afro 1.000 njerëz. Cunami që ndodhi pas tërmetit përshkoi oqeanin dhe arriti në Japoni.
Më shumë se 500 njerëz humbën jetën dhe mijëra u plagosën në tërmetin 8.8 ballë që ndodhi në Kili më 27 shkurt 2010. Përveç Kilit, vendet e Amerikës Latine si Peruja, Ekuadori, Kolumbia, Kosta Rika dhe Panamaja u prekën nga cunami pas tërmetit. Tërmeti shkaktoi rreth 30 miliardë dollarë dëme dhe më shumë se 500 mijë shtëpi u dëmtuan pa riparim.
Tërmeti me magnitudë 8.7 që ndodhi më 4 shkurt 1965 në Ishujt Rat të Alaskës shkaktoi një cunami 10 metra të lartë. Nga tërmeti nuk ka patur humbje jetësh.
Të paktën 1.500 njerëz vdiqën në tërmetin me magnitudë 8.6 që goditi Tibetin më 15 gusht 1950. Tërmeti, i cili ka prekur edhe shumë qytete të Kinës dhe Indisë, ka shkaktuar rrëshqitje të dheut dhe si pasojë, qindra ndërtesa u dëmtuan.
87 mijë njerëz humbën jetën ose u zhdukën në tërmetin 7.9 ballë që ndodhi në vitin 2008 në rajonin e provincës Chichuan të Kinës. 370 mijë njerëz u plagosën si pasojë e tërmetit.
Në tërmetin 7.6 ballë që goditi Pakistanin më 8 tetor 2005, rreth 75 mijë njerëz humbën jetën.
316 mijë persona humbën jetën dhe 300 mijë u plagosën nga tërmeti me magnitudë 7 ballë që ndodhi më 12 janar 2010 në Port-au-Prince, kryeqyteti i Haitit. 11 vjet më pas, rreth 2500 njerëz vdiqën, më shumë se 12 mijë njerëz u plagosën dhe mijëra njerëz mbetën të pastrehë në tërmetin 7.2 ballë që ndodhi në brigjet e Haitit më 14 gusht 2021.
– Linjat e prishjes dhe pllakat
Lëvizjet që ndodhin në të ashtuquajturat “thyerje” (fault line) në koren e tokës përbëjnë pothuajse të gjithë tërmetet në botë.
Brezi sizmik tektonik më intensiv në botë është brezi sizmik i Paqësorit, ku ndodhin rreth 80 për qind e tërmeteve të mëdha.
Pllakat më të rëndësishme kontinentale janë Pllaka e Amerikës së Veriut, Pllaka e Amerikës së Jugut, Pllaka Afrikane, Pllaka Arabe, Pllaka Euroaziatike, Pllaka e Anadollit, Pllaka Bismarck, Pllaka Indo-Australiane dhe Pllaka Antarktike.
Përderisa disa thyerje nuk janë delikate dhe të rëndësishme, Thyerja e Anadollit dhe ajo në San Francisko janë qindra kilometra të gjata.
“Unaza e zjarrit”, e cila përfshin Japoninë, Kilin, Meksikën, Perun dhe Zelandën e Re, është gjithashtu një rajon i prirë ndaj tërmeteve dhe shpërthimeve vullkanike.
– Linjat e tërmetit në Türkiye
Pllaka e Anadollit në Türkiye përmban disa nga linjat e thyerjeve më aktive në botë.
Pllaka e Anadollit, ku ndodhen linjat e thyerjes së Anadollit Verior, Lindor dhe Perëndimor, ndodhet midis pllakave euroaziatike, afrikane dhe arabe.
Disa nga tërmetet më shkatërruese në histori kanë ndodhur për shkak të lëvizjeve përgjatë kësaj linje thyerjeje.