Tërmeti i mori jetën një ish-futbollisti dhe djalit të tij të talentuar

Federata e Futbollit të Sirisë ka konfirmuar se ish-ylli i vendit dhe ish-lojtari i kombëtares Nader Joukhadar vdiq në tërmetet shkatërruese që goditën dje Turqinë dhe Sirinë.

Një seri tërmetesh të tmerrshëm po marrin viktima çdo minutë dhe një numër i madh sportistësh kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri. Mes tyre është edhe Nader Joukhadar, ish-përfaqësues i futbollit i këtij vendi.

Joukhadar (45) vdiq së bashku me djalin e tij Taaja, i cili ishte një basketbollist premtues. Ata vdiqën në qytetin Jableh, i cili ishte ndër më të goditurit gjatë tërmetit në Siri.

Futbollisti, i cili doli në pension në vitin 2008, konsiderohej si një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij në fushën siriane. Ai luajti për disa nga klubet më të njohura siriane dhe jordaneze si Al Wathba, Al Faisaly dhe Al Wehdat.

Ai shënoi nëntë gola në 14 ndeshje për ekipin kombëtar të Sirisë dhe gjithashtu luajti në Kupën e Azisë për ekipin e tij kombëtar në vitin 1996. Vitin e kaluar ai filloi karrierën e tij si trajner dhe drejtoi ekipin Salam nga Zgharta.
Ky lajm tragjik u konfirmua nga Federata e Futbollit të Sirisë, si dhe nga Al Wathba, klubi mëmë ku Joukhadar la gjurmët më të thella.

Kategoritë
Sport