Presin ende që të zgjohet.
Franca ka konkurruar dhëmb për dhëmb me Anglinë për të qenë skuadra më zhgënjyese e Evropianit, ndonëse të besuarit e trajnerit Didier Deschamps janë përpjekur shumë më tepër.
Nënkampionët e botës ndoshta mbajnë rekordin e gjithë kampionateve kontinentale duke mos shënuar asnjë gol nga aksioni në 5 sfida deri tani, edhe pse goditje drejt portës ka pasur shumë. Statistikat nuk gabojnë.
“Gjelat” kanë tentuar plot 89 herë, baraz me rivalin që eliminuan në çerekfinale, Portugalinë. Kjo do të thotë se ata janë të tretët në Euro 2024 për këtë element, lënë prapa vetëm nga Spanja me 102 gjuajtje dhe Gjermania me 94. Ata kanë 17.8 gjuajtje për ndeshje, veçse saktësia është harruar prej tyre.
Pjesa më e madhe e gjuajtjeve kanë qenë jashtë porte, plot 42, dyfishi i atyre që ishin në kuadrat. Megjithatë, gol nga loja nuk ka, por vetëm një rrjetë me penallti nga Kylian Mbappe dhe dy autogola.
Ndër, katër ekipet gjysmëfinaliste, më dobët për gjuajtje është Anglia me vetëm 57, që do të thotë 11.4 për ndeshje. Te Franca padyshim që kanë zhgënjyer sulmuesit kryesor. Mbape ka shënuar vetëm me 11-metërsh, ndërsa Griezmann ende nuk e ka provuar shijen e rrjetës, teksa vetëm Cristiano Ronaldo ka shpërdoruar më shumë shanse sesa dy “yjet” francezë.