“The Economist”: Blerja e armëve, pse Serbia është një shqetësim për fqinjët

“The Economist”

“Ejani me mua”- më thotë presidenti serb Aleksandar Vucic. “Tani do të shihni një buzëqeshje në fytyrën time!”. Nga tarraca e godinës së presidencës në Beograd ai më tregon rrokaqiejt që ngrihen lart në qiell, dhe deklaron me tone triumfuese:“Jemi si një Feniks që ka rilindur nga hiri!”.

Ndërkohë shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë, shqetësohen se po nga hiri po ri-ngrihet me shpejtësi edhe ushtria serbe. Gjatë një mosmarrëveshjeje të vogël në shtator me Kosovën rreth çështjes së targave të makinave, Serbia tregoi një shfaqje force duke patrulluar me avionë luftarakë afër kufirit, teksa vendosi në terren mjetet e blinduara për të ushtruar presion mbi fqinjin e saj më të vogël.

Gjatë viteve 2015- 2021, shpenzimet e Serbisë në fushën e mbrojtjes janë rritur me rreth 70 për qind, dhe aktualisht janë 1.4 miliardë dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i kanë dhuruar nga 10 avionë luftarake Mig-29. Rusia i ka dhuruar edhe 30 tanke dhe transportues të blinduar për personelin ushtarak, teksa i ka shitur një sistem të mbrojtjes ajrore.

Po ashtu Beogradi ka blerë dronë të blinduar kinezë, helikopterë rusë, dhe një sistem raketor francez tokë-ajër. Këtë muaj,Ministri i Mbrojtjes njoftoi se Serbia është në negociata për blerjen e avionëve të transportit dhe helikopterë nga kompania e njohur “Airbus”.

Muajin e kaluar, bëri bujë lajmi se Serbia është në bisedime edhe me Izraelin për të blerë raketa anti-tank. Në listën e blerjeve mund të jenë edhe dronët ushtarakë turq, të cilët u përdorën me një efekt të madh shkatërrues në humbjen e vitit të kaluar të forcave armene në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh përballë Azerbajxhanit.

Industria serbe e mbrojtjes po prodhon gjithashtu pajisje të reja, në krahasim me prodhimin e më shumë gjërave të epokës jugosllave. Pas luftërave jugosllave të viteve 1990, kapaciteti ushtarak i Serbisë u dëmtua rëndë.

Por në vitin 2014, qeveria serbe vendosi qëtë riarmatosej. Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë, tregoi se epoka e luftës konvencionale në Evropë nuk kishte përfunduar ende; dhe përmbytjet e rënda të atij viti në Serbi ishin një “zile zgjimi”, thotë Daniel Sunter nga Rrjeti Ballkanik i Sigurisë.

Pas asaj fatkeqësie natyrore, serbët zbuluan se vendi nuk kishte pothuajse asnjë helikopter për misionet e kërkim-shpëtimit. Ndërkohë në vitin 2015, Kroacia, që kishte rinisur të modernizonte forcat e saj të armatosura, i kërkoi SHBA-së që ta furnizonte me raketa, të cilat nëse lëshoheshin drejt Serbisë, mund të godisnin në thellësi të këtij vendi.

Një shtet modern ka nevojë për një ushtri moderne, thotë zoti Vucic. Në krahasim me pak vite më parë. Serbia shpenzon më shumë në terma absolutë. Gjithsesi shpenzimet e saj për mbrojtjen në raport me PPB-në luhaten rreth 2 për qind që nga viti 2005.

Krahasuar me Bullgarinë, Hungarinë ose Rumaninë, kjo është “një çikërrimë” thotë presidenti serb. Por gjatë viteve 1990 serbët nuk ishin në luftë me Bullgarinë, Hungarinë apo Rumaninë, por me fqinjët e tyre, që tani kanë buxhete më të vogla për ushtritë e tyre.

Sa i përket buxhetit të mbrojtjes, Serbia ia kalon Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të marra së bashku. Po ashtu Serbia ia kalon edhe Kroacisë, që po blen avionë luftarakë francezë për të ripërtërirë kapacitetin e saj ajror që sot është thuajse joekzistent.

Nëse Serbia do të modernizonte thjesht forcat e saj të armatosura, askush nuk do ta kishte problem. Ai që krijon shqetësime dhe ngre alarmin është konteksti. Bosnja gjendet sërish në mesin e trazirave politike, ndërsa udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi më 14 tetor se nëse pjesa e tij e Bosnjës do të ndahej dhe do të pasonte dhuna, Rusia do të ndërhynte për ta mbrojtur të ashtuquajturën Republika Sprska.

Gazetat e kontrolluara nga qeveria serbe, shkruajnë vazhdimisht se lufta me shqiptarët e Kosovës apo kroatët është e afërt. Në fillim të këtij muaji, pas një përleshjeje midis serbëve të Kosovës dhe policisë së Kosovës, mediat serbe e lidhën praninë e trupave britanike Gurkha me dhunën.

Njëkohësisht, nacionalistët, përfshirë Ministrin e Brendshëm të Serbisë, janë duke folur për krijimin e një “bote serbe”, një frazë për të cilën shumë njerëz në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje,druhen se është kod për një Serbi të Madhe që mund t’i gllabërojë që të tria këto shtete.

Vetë presidenti Vucic i hedh poshtë insinuata të tilla duke i quajtur ato “propagandë”. Ai thotë se të gjithë fqinjët e dinë se riarmatimi “nuk është kundër tyre”.Vuk Vuksanoviç, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se rëndësia e vërtetë e riarmatimit të vendit është më shumë politike sesa ushtarake.

Marrëveshjet e armëve të promovuara në shumë media, u bën shumë përshtypje mbështetësve të Vucic, të cilët priren t’i shohin me shumë respekt forcat e armatosura. Por Serbia është efektivisht e rrethuar nga NATO. Me një aleancë të madhe që mbron fqinjët e saj të vegjël, ajo ka shumë pak gjasa që të dërgojë ushtarët e saj në luftë në të ardhmen e parashikueshme.

Në fakt, Serbia ka marrëdhënie të shkëlqyera (edhe pse në prapaskenë) me NATO-n dhe SHBA-në që i trajnon vazhdimisht trupat serbe.

Pasja e një ushtrie të fortë, do të thotë që fuqitë e mëdha të të trajtojnë me respekt, thotë Vuksanovic. Dhe nëse “mos e dhëntë Zoti, status quo-ja rajonale do të prishej, atëherë nëse ne mund t’i shkaktojmë dëme kundërshtarëve tanë hipotetikë, ata ndoshta do të jenë më të hapur ndaj nesh në tryezën e negociatave”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina