“The Wall Street Journal”: EBA-ja do të tërhiqet nga marrëveshja me SHBA-në për avionët “F-35”

Është pretenduar se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të tërhiqen nga marrëveshja për blerjen e avionëve “F-35” dhe disa armëve të tjera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të kushteve të përdorimit.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të EBA-së dhe SHBA-së, gazeta amerikane “The Wall Street Journal” pretendon se administrata e Abu-Dabit i ka komunikuar Uashingtonit pezullimin e bisedimeve për avionët “F-35”.

Gazeta citon një zyrtar të Emirateve të Bashkuara Arabe të ketë thënë se “kushtet e sigurisë, kufizimet në operacionet sovrane dhe llogaritjet e kostos kanë çuar në një rivlerësim të këtyre blerjeve”. Vlen të përmendet se ky njoftim erdhi pak para takimit të nivelit të lartë të dialogut strategjik ndërmjet SHBA-së dhe EBA-së.

Në një prononcim mbi këtë çështje, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA (Pentagon), John Kirby, u shpreh me këto fjalë: “Marrëdhënia e partneritetit midis SHBA-së dhe EBA-së është më strategjike dhe më komplekse sesa një shitje armësh. Ne jemi të gatshëm të punojmë me ta për t’iu përgjigjur pyetjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe rreth shitjes.”

John Kirby theksoi se politika dhe kushte përfundimtare të përdorimit ka në çdo shitje armësh.

“Këto kushte të përdoruesit të fundit dhe ruajtja e pajisjeve të mbrojtjes amerikane janë diçka e përgjithshme, e panegociueshme dhe jo specifike për Emiratet e Bashkuara Arabe”, shtoi ai.

EBA-ja i ka kërkuar SHBA-së që t’i shesë avionë “F-35” dhe dronë luftarakë që nga viti 2015. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte lejuar shitjen e dronëve të armatosur “Reaper” dhe avionëve “F-35” për Emiratet e Bashkuara Arabe në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin. Ndërsa Kongresi Amerikan kishte kërkuar me anë të një projektrezolute që të shtrëngohen protokollet dhe të shtohen kushtet e sigurisë për këtë shitje.

Kategoritë
BotaLajme