TIKA mbështet zhvillimin e bletarëve të Kosovës

Koordinatorja e TIKA-s, Fulya Aslan, tha se programin për zhvillimin e bletarisë së qëndrueshme në Kosovë e kanë filluar vitin e kaluar, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Lidhjen e Bletarëve të Kosovës.

Ka përfunduar trajnimi dyditor “Bletaria dhe luftimi me sëmundjet dhe dëmtuesit” i organizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëpunim me Lidhjen e Bletarëve të Kosovës, për bletarët nga qyteti i Prizrenit dhe Ferizajt, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e certifikimit të pjesëmarrësve në trajnimin e organizuar nga TIKA në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Drejtorinë e Institutit Kërkimor të Bletarëve Ordu dhe Lidhjen e Bletarëve të Kosovës më 12-13 shkurt, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit, Celal Doğan, kryetari i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, Sylejman Zogiani, trajnerë dhe bletarë.

Në fjalën e saj këtu, koordinatorja e TIKA-s, Fulya Aslan, tha se programin për zhvillimin e bletarisë së qëndrueshme në Kosovë e kanë filluar vitin e kaluar, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Lidhjen e Bletarëve të Kosovës.

Ajo theksoi se në kuadër të ”Programit të Zhvillimit të Bletarisë së Qëndrueshme-Trajnimi për Lidhjen e Bletarëve të Kosovës”, në dy vjet kanë kryer trajnime në rajone të ndryshme të Kosovës.

“Qëllimi i këtij programi që ne kemi iniciuar është të rrisim sasinë dhe cilësinë e prodhimit në Kosovë, duke kontribuuar në të ardhurat familjare dhe ekonominë e vendit në nivel makro”, tha ajo.

Ambasadori Angılı deklaroi se në mënyrë që prodhimi bujqësor të jetë i qëndrueshëm, duhet të jetë edhe komercial.

“Sugjerimi im për hapin e radhës është eksportimi i mjaltit të prodhuar nga këta bletarë në Türkiye, nën udhëheqjen e TIKA-s dhe me kontributin e institucioneve tona, duke e kthyer kështu këtë në një marrëdhënie të qëndrueshme komerciale. Mendoj se do të jetë shumë e favorshme për të dyja palët. Në këtë mënyrë, ne do të forcojmë jo vetëm lidhjet tona kulturore, por edhe ato tregtare”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Totaj, shprehu mirënjohjen e tij për institucionet turke për mbështetjen e ndryshme që kanë dhënë.

“Dihet se Kosova ka marrëdhënie të jashtëzakonshme me aleatin e saj shumë të fortë dhe vendin mik, Türkiyen. Në këtë drejtim, ne marrim mbështetje të vazhdueshme nga Türkiye dhe marrim mbështetje me ndihma shumëdimensionale”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, Zogiani, po ashtu falënderoi TIKA-n dhe ekspertët turq që bënë të mundur trajnimin me bletarët e Kosovës, të cilin ai e cilësoi si shumë produktiv.

Ceremonia përfundoi me shpërndarjen e certifikatave për rreth 120 pjesëmarrës nga qyteti i Prizrenit dhe Ferizajt.

Kategoritë
LajmeVendi