TIKA mbështetje të re për arsimin në Kosovë

Në kuadër të mbështetjes, biblioteka e shkollës fillore “Nazim Hikmet” në Miresh të Gjilanit është pajisur me tavolina, karrige dhe dollapë dhe është bërë lyerja e mureve dhe riparimi i dritareve

Është hapur biblioteka e shkollës fillore “Nazim Hikmet” në fshatin Miresh (Dobërçan) të Komunës së Gilanit, e cila u riparua dhe mobilua me kontributet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së bibliotekës morën pjesë ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Çağrı Sakar, Koordinatori i TIKA-s për Kosovë, Cihan Dinçer, deputetit i KDTP-së Enis Kervan, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, mësues dhe nxënës.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, ministri Damka tha se është detyrë e të gjithëve që t’i inkurajojnë fëmijët të lexojnë më shumë libra.

Duke thënë se shkolla “Nazım Hikmet” do të mbështetet nga Republika e Türkiyes edhe në periudhën e ardhshme, Damka tha: “Republika e Türkiyes tregon se qëndron pranë popullit të Kosovës me projekt të ri. Dëshiroj të falënderoj në emër të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që TIKA i ka dhënë arsimit në fusha të ndryshme të Kosovës që nga viti 2000. Projekte të tilla janë mbështetje e madhe për arsimin dhe fëmijët tanë, të cilët janë e ardhmja dhe e nesërmja jonë”.

Ndërkaq, ambasadori Sakar tha se Türkiye vazhdon të mbështesë zhvillimin e Kosovës në çdo fushë me të gjitha institucionet e saj.

Duke nënvizuar rëndësinë e ndihmave në fushën e arsimit, Sakar tha: “Nuk mund të kishte një simbol më të mirë për miqësinë dhe vëllazërinë historike mes Türkiyes dhe Kosovës. Ua uroj bibliotekën e shkollës fillore ‘Nazim Hikmet’ mësuesve dhe nxënësve. Kosova është një vend me popullsi shumë të re. Ne besojmë se mund të japim kontribute më pozitive për të ardhmen”.

Kryetari i komunës, Hyseni, nga ana tjetër, deklaroi se është i hapur për bashkëpunim me institucionet turke në fusha të ndryshme edhe në periudhën në vijim, duke shtuar se projekti i sotëm është vazhdimësi e projekteve të realizuara nga TIKA dhe Türkiye në Kosovë.

Ai tha duke u nisur nga vetëdija se arsimi është e ardhmja, biblioteka do t’u shërbejë nxënësve shqiptarë dhe turq që mësojnë së bashku në këtë shkollë.

Në kuadër të mbështetjes, biblioteka është pajisur me tavolina, karrige dhe dollapë dhe është bërë lyerja e mureve dhe riparimi i dritareve.

Po ashtu, gjatë fazës së përgatitjes së bibliotekës, nxënës vullnetarë nga Türkiye morën pjesë në kuadër të Programit të TIKA-s për Ndarjen e Eksperiencës.

Kategoritë
LajmeVendi