Tiranë, protestë para Ambasadës së Serbisë në mbështetje të Kosovës

Protesta e organizuar nën thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile është mbajtur para selisë së Ambasadës së Serbisë në Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur një protestë në solidaritet me Kosovën, pas zhvillimeve të javëve të fundit në veri dhe pas vendosjes të barrikadave në rrugë nga serbët lokalë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e organizuar nën thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile para selisë së Ambasadës së Serbisë në Tiranë kanë marrë pjesë dhjetëra qytetarë, të cilët mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme, flamuj dhe simbole kombëtare shqiptare.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Të gjitha trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Trepça dhe Ujmani janë pasuri e Kosovës”, “Kosovë-Shqipëri, ne jemi një”, “Jo asociacioneve në tokat shqiptare”, “Jo Republika Serbe në Kosovë” dhe të tjera.

Pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, më parë kanë reaguar edhe autoritete shqiptare, duke theksuar se do të jenë krah Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se në javët e fundit serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada në rrugë, duke shkaktuar tensione dhe reagime.

Drejtuesit e institucioneve të larta në Kosovë, Bashkimi Evropian (BE) dhe Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi