“Torcida” udhëtuan për në Karagaç të armatosur me armë të ftohta (FOTO)

Grupi ultras i KB Trepçës “Torcida” udhëtuan në numër të konsiderushëm mbrëmë për ta mbështetur klubin e zemrës së tyre në ndeshjen e “PlayOff” gjysmëfinale kundër KB Pejës, në kuadër të basketbollit.

Këtë ndeshje e fitoi Peja me rezultat 72:66, megjithatë ndeshja u zhvendos në plan të dytë, pas tensioneve në tribunat e palestrës “Karagaçi” në Pejë.

Insajderi ka siguruar fotografi ku shihen tifozët mitrovicas me armë të ftohta (thikë) në duar, në autobus rrugës për në qytetin e Pejës.

Marrëdhëniet në ndërmjet dy tifozërive janë prishur pas dy ndeshjeve të para të zhvilluara.

Mbrëmë një gjest i shëmtuar ka ndodhur nga ana e një tifozi pejan, i cili ka ngritur tre gishtat në drejtim të tifozëve mitrovicas.

Po ashtu, në sallën “Karagaçi” është dëgjuar në kor “ju jeni shkije…” nga tifozët vendës në drejtim të atyre mysafir.

Deri më tani as grupi “Shqiponja” dhe KB Peja nuk janë distancuar nga ky veprim.

Kjo ndeshje, 26 sekonda para fundit, u ndalua pasi një tifoz u fut në parket dhe goditi baskebollistin e Trepçës, çka rezultoi me largimin e të pranishmëve nga salla me vendimin e gjyqtarëve.

Rezultati i serisë pas tri ndeshjeve të zhvilluara është në favor të Trepçës, 2:1. Ndeshja e radhës zhvillohet në Mitrovicë.

Kategoritë
LajmeSport