Tragjedi në Brazil: Autobusi i ekipit të futbollit bie nga ura, 4 të vdekur dhe 29 të plagosur (VIDEO)

Shumica e viktimave ishin adoleshentë dhe i përkisnin ekipeve të të rinjve të Vila Maria Helena, një klub futbolli të rinjsh në Rio de Zhaneiro.

Sipas raportit të fundit nga Brigada e Zjarrfikësve, në mesin e viktimave janë përfshirë tre adoleshentë të moshës 14 deri në 17 vjeç dhe një i rritur. 29 persona të tjerë u plagosën në aksidentin horror në Alem Paraiba në Brazil

“Shoferi humbi kontrollin e automjetit, ra nga ura dhe mbeti me rrotat lart,” tha agjenti Colen, një anëtar i Policisë Federale të Autostradave Braziliane.

Sipas mediave lokale, aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, pranë komunës Alem Paraiba në shtetin Minas Gerais, kur autobusi ra nga një urë 10 metra pasi drejtuesi i mjetit humbi kontrollin.

Të lënduarit janë dërguar në qendrat shëndetësore aty pranë.

Skuadra e Vila Maria po kthehej fitimtare pas pjesëmarrjes në finalen e turneut të Copa Nacional, ku kishte fituar titullin në U-18 dhe nënkampione në U-16.

Kategoritë
BotaLajme